Mësohet nëse Kosova ka arritur marrëveshje punësimi sezonal me ndonjë nga vendet e BE-së

Autoritetet e Kosovës nuk kanë arritur të nënshkruajnë asnjë marrëveshje të re me ndonjë nga shtetet e Bashkimit Evropian për punësim sezonal të qytetarëve të Kosovës.

Mimoza Kqiku, këshilltare për informim e Ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë për Radion Evropa e Lirë se janë në përpjekje të arritjes së një marrëveshjeje me ndonjë nga vendet e BE-së për punësim sezonal, mirëpo deri më tani nuk ka asgjë konkrete.

“Aktualisht, ne nuk kemi ndonjë marrëveshje me ndonjë nga shtetet e Bashkimit Evropian për punësim sezonal të qytetarëve tanë në këto shtete përkatëse, por jemi duke bërë përpjekje maksimale, jemi duke u takuar me ambasadorët e këtyre shteteve që të paktën të kemi në marrëveshje të tillë deri në fund të këtij viti”, thotë Kqiku.(Kliko mbi link dhe shiko pamjen e plotë ⤵⤵⤵)

Papunësia është një nga problemet më të mëdha që ka përcjellë shoqërinë kosovare viteve të fundit. Shkalla e papunësisë në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare është mbi 30 për qind.

Nisur nga ky nivel i lartë i papunësisë, punësimi sezonal në vendet e Bashkimit Evropian konsiderohet si një mundësi e mirë për të rinjtë. Në të kaluarën Kosova ka pasur marrëveshje për punësim sezonal me shtetin e Gjermanisë.

Përfaqësues të bizneseve kërkojnë më shumë angazhim institucional për arritjen e marrëveshjeve për punësim sezonal.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë për Radion Evropa e Lirë se derisa mundësitë për rritjen e numrit të të punësuarve në Kosovë janë shumë të vogla, alternativa më e mirë është punësimi sezonal.

“Punësimi sezonal në të kaluarën ka ndodhur edhe në tregun e punës në Kosovë dhe jashtë vendit, por jashtë vendit ka qenë një numër i vogël karshi kërkesave që ka pasur. Është neglizhencë e institucioneve të vendit që nuk kanë qenë angazhuar në arritjen e marrëveshjeve me vendet e BE-së për këtë punësim. Punësimin sezonal e ka vështirësuar edhe mosliberalizimi i vizave”, thotë Shahini.

Të rinj të anketuar nga Radio Evropa e Lirë, thonë se do të punonin punë sezonale kudo dhe në cilindo shtet ku do t’u ishte ofruar mundësia.

Arlinda, një e re nga qyteti i Podujevës thotë se do t’i ndihmonte një punë sezonale në ndonjë nga vendet e BE-së dhe në Kosovë, por ofertat për një gjë të tillë, janë të pakta.

“Unë kam përfunduar shkollën e mesme tani jam duke bërë një praktikë si laborante e biologjisë. Sikur të kisha ndonjë ofertë për punë sezonale do ta pranoja me shumë dëshirë, porse nuk ka oferta të tilla në tregun e Kosovës”, thotë ajo.

Alban Reka thotë se interesimi i të rinjve për punë sezonale nuk mungon, por institucionet, sipas tij, nuk kanë bërë asgjë për të krijuar mundësi të tilla për të rinjtë:

“Patjetër që do të punoja punë sezonale. Është një punë që do të ndihmonte mirë ekonomikisht”, shprehet Albani.

Ndryshe, në tregun e punës në Kosovë, sipas të dhënave të zyrtare, çdo vit hyjnë 25 deri në 30 mijë të rinj, të cilët konsiderohen të aftë për punë./REL/

SHPËRNDAJE