Messi apo Ronaldo: Superkompjuteri i krahason dhe zbulon më të mirin

Universiteti i Leuvenit dhe SciSports e kanë zhvilluar një program që i shqyrton rreth 1,600 aksione gjatë një ndeshjeje për t’i krahasuar futbollistët mes vete. Përmes këtij programi, ata i kanë dhënë përgjigje pyetjes së famshme: “A është më i mirë Lionel Messi apo Cristiano Ronaldo?”

SciSports, një kompani për analizimin e të dhënave në futboll, ka bashkëpunuar me Universitetin e Leuvenit për ta zhvilluar një program të quajtur “Vlerësimi i aksioneve duke i llogaritur gjasat” që i analizon të gjitha veprimet e lojtarëve në fushën e lojës, transmeton Gazeta Express.

Bazuar në këtë program, ata e kanë bërë një studim për ta gjetur përgjigjen e pyetjes së zakonshme në botën e futbollit gjatë viteve të fundit: Kush është më i mirë – Lionel Messi apo Cristiano Ronaldo?

Këta studiues i analizuan të gjitha të dhënat në dispozicion për paraqitjet e Messit dhe Ronaldos prej sezonit 2013/14 të La Ligës deri në sezonin 2017/18. Rezultati i studimit është se Messi ka qenë më vendimtar.

Argjentinasi e ka lënë shumë prapa rivalin e tij portugez. Messi ka fituar koeficient 1.21, përderisa Ronaldo është vlerësuar me 0.61.

Studiuesit vendosën që t’i lënë anash ndeshjet e Ligës së Kampionëve, Kupës së Mbretit dhe ndeshjet me ekipet kombëtare. Ky vendim u mor në mënyrë që ata të krahasohen për ndeshje të barabarta me të njëjtët kundërshtarë.

Tom Decroos, një student i PhD-së që mori pjesë në këtë studim, tha se Messi dhe Ronaldo kishin pikë plotësisht të barabarta deri në vitin 2015, kur argjentinasi i doli rivalit të tij përpara.

Përderisa futbollistët zakonisht vlerësohen në bazë të numrit të golave dhe asisteve që i kanë bërë, ky studim është më i ndërlikuar pasi që Universiteti i Leuvenit dhe SciSports i kanë analizuar të gjitha aksionet në fushë, duke i vlerësuar futbollistët me pikë për kontributin në secilin aksion. /Gazeta Express/

SHPËRNDAJE