Miku i Thaçit abuzon me detyrën si Kryesues Bordi i ‘Ujësjellësit’, në ditën e fundit të mandatit shkarkon Drejtorin Financiar

Më 24 tetor 2018 u ka mbaruar mandati anëtarëve të Bordit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica”, të cilët para largimit nga ky institucion kanë marrë vendim për largim nga puna të zyrtarit kryesor financiar të cilin e kishin punësuar para pak më shumë së 1 viti, duke abuzuar më pozitën e tyre.

Bëhet fjalë për zyrtarin kryesor financiar në këtë kompani, Ramadan Sejdiu, i cili ishte punësuar pikërisht nga ky bord në qershor të vitit 2017 pas shpalljes së konkursit për herën e tretë, rast për të cilin në atë kohë pati raportuar gazeta online Veriu.info.

Po ashtu para zgjedhjes së Gërxhaliut si kryesues i bordit të KRU “Mitrovica”, pjesë e këtij bordi kishte qenë babai i tij, pra vëllau i gruas së presdentit të tanishëm Hashim Thaçi, duke e shndërruar këtë kompani në një kompani familjare ku pozitat e rëndësishme trashëgohen nga babai tek djali.

Ramadan Sejdiu para se të punësohej në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica” kishte udhëhequr me Njësinë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik. Por Sejdiu u largua nga kjo pozitë fillimisht me suspendim e pastaj me largim përfundimtar nga MZHE si masë disiplinore pasi që ishte arrestuar nga autoritetet japoneze në shtator 2015 me akuzën për ngacmim seksual gjatë një udhëtimi zyrtar, shkruan gazeta online Veriu.info.

Veriu.info atë kohë pati hulumtuar mbi procesin e punësimit të Ramadan Sejdiut, sepse pas më shumë së 1 viti e gjysmë largim nga MZHE ish vartësit e tij ishin kujdesur që t’i gjejnë një vend pune.

Madje kryesuesi i Bordit të cilit i ka mbaruar mandati ditën e djeshme (24 tetor 2018), Blerim Gërxhaliu (djali i vëllaut të gruas së presidentit Hashim Thaçi), pati deklaruar se tash ka ardhur një njeri kompetent dhe i përgatitur në këtë pozitë, por tash kur ka shkarkuar personin e lartcekur refuzon të përgjigjet në pyetjet e gazetës online Veriu.info duke e hedhur përgjegjësinë tek KRU “Mitrovica”.

Por siç duket ka mjaftuar 1 vit e disa muaj që pikërisht Bordi që e emëroi në këtë pozitë ta shkarkoj zyrtarin kryesor financiar, duke e bërë që me largimin e tyre nga bordi të largojnë nga puna edhe shefin e tyre kohë më parë, kur dihet se njësia që Ramadan Sejdiu kishte udhëhequr gjatë punës në MZHE monitoron punën e bordit të KRU “Mitrovica”.

Kujtojmë që ky bord ishte vazhdimësi e traditës së partive politike në Kosovë për emërimin e njerëzve politikë dhe militantëve partiak nëpër pozita të rëndësishme menaxhuese. Bordi i KRU “Mitrovica” drejtohej nga Blerim Gërxhaliu, djali i vëllaut të gruas së presidentit Hashim Thaçi i cili ishte zgjedhur si pjesë e kësaj kompanie më 24 tetor 2015 nga qeveria e Kosovës bashkë me një varg të njerëzve politikë në këtë kompani. /Veriu.info/

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE