Milaim Zeka jep lajmin e mirë, tregon se kur formohen institucionet

Koalicioni PAN edhe në seancën e pestë konstituive nuk arriti ta zgjedhë kryetarin e Kuvendit duke mos pasur numrat e nevojshëm, pra mbi 61 vota.

Në anën tjetër, ishte kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti ai që i kishte reaguar dhe i kishte kërkuar Kadri Veselit, kandidat i PAN-it për kryetar të Kuvendit, që të dalë dhe të matet se a po e votojnë deputetët atë, apo jo.

Lidhur me këtë, deputeti i Nismës për Kosovën, Milaim Zeka ka thënë se Kurti ka për qëllim ta çojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme, meqë e di se kurrë nuk do të bëhet kryeministër.

“Unë prapë po them në mënyrë hipotetike, nëse Albin Kurti e ka një shans me e bë qeverinë, PAN-i i ka 99 shansa, në proporcion me Vetëvendosjen. Albini po do ta çojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme. Ai e di se nuk mund ta bëjë Qeverinë, e di që kurrë nuk do bëhet kryeministër në këtë mandat dhe po luan me zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka thënë ai në një prononcim për “Indeksonline”.

Sipas Zekës, një qëllim i tillë i Kurtit nuk do të ndodhë për shkak se nuk do e lejojë Bashkësia Ndërkombëtare, e cila sipas tij, do të lëvizë në drejtim të zgjidhjes së krizës institucionale deri në seancën e radhës.

“Mendoj që nuk do të kemi zgjedhje të jashtëzakonshme për dy arsye. E para, se Bashkësia Ndërkombëtare nuk lejon që të kemi zgjedhje të jashtëzakonshme, dhe e dyta, mendoj se deri në seancën e ardhshme do të lëvizë pikërisht Bashkësia Ndërkombëtare dhe do të bëhet edhe Kryesia e Parlamentit dhe do bëhet edhe Qeveria”, është shprehur Zeka.

Tutje, ai ka shtuar se përveç kreut të PDK-së, Kadri Veselit, atij të AAK-së, Ramush Haradinajt dhe të Nismës për Kosovën, Fatmir Limajt, askush tjetër nuk e di nëse janë numrat për kryeparlamentarin dhe për Qeverinë.

SHPËRNDAJE