Militantët partiakë vërshojnë Bordin e Ujësjellësit të Mitrovicës (Emrat)

Pa ndonjë kundërshtim, Qeveria e Kosovës ka votuar këtë javë për të mbushur me militantë të partive në pushtet bordet e disa ndërmarrjeve publike.

Në Kompaninë rajonale të ujësjellësit “Mitrovica”, kryesues është zgjedhur Faton Zekaj.

Pjesë e Bordit është edhe Sadri Konjuhi, pjesë e strukturave të Nismës në Skenderaj.

Besim Shyti, po i Nismës, ka qenë kandidat për deputet në zgjedhjet e fundit.

Emërimi i këtij bordi ka revoltuar kryetarët e tri komunave, të cilat edhe furnizohen me ujë të pijes nga kjo kompani.

Agim Bahtiri, Bekim Jashari dhe Xhafer Tahiri kanë kërkuar nga qeveria që ta anulojë këtë vendim, që është kryekëput politik.

Në të kundërtën, Bahtiri paralajmëron se do ta ndërpresin çdo lloj bashkëpunimi me këtë ndërmarrje.

Qeveria ka emëruar drejtues të rinj edhe për Ndërmarrjen Publike Qendrore “Ibër Lepenci”, Postën e Kosovës, Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Hodrodrini” në Pejë, Kompaninë Rajonale të Ujitjes “Drini i Bardhë” po ashtu në Pejë dhe për Kompaninë Rajonale të Ujitjes “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë.

Shumë prej të emëruarve janë simpatizantë ose pjesë të strukturave të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Partisë Demokratike të Kosovës ose të Nismës Social Demokrate , raporton KTV.

Në Ndërmarrjen Publike Qendrore “Ibër Lepenci”, nga 6 personat e emëruar, Halil Gashi është simpatizant i AAK-së.

Në Ndërmarrjen Publike “Posta e Kosovës” është emëruar Rushan Ceka, që së fundi ka realizuar një sërë fotografish në Konventën e PDK-së.

E emëruara tjetër, Zelfije Pllana në Facebook shkruan se punon për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, kurse Nuhi Provoliu është pjesë e degës së AAK-në në Kaçanik dhe “100 % me Ramushin”.

Në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, nga gjashtë kandidatë, dy prej tyre janë njerëz të AAK-së.

Albetron Sahiti shihet në fotografi duke vrapuar me kryeministrin Haradinaj.

Sejdë Tolaj, që ishte në LDK e LDD, tash është pjesë e AAK-së, dhe përkrah i madh i Haradinajt.

Në Kompaninë Rajonale të Ujitjes “Drini i Bardhë” në Pejë, tre nga anëtarët e Bordit janë njerëz të tri partive në pushtet.

Galdim Krasniqi është pjesë e AAK-së, Beqë Hadërgjonaj shkruan në Facebook se është shef ekzekutiv në PDK e Sylë Krasniqi është me Nismën.

Në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Hidrodrini” në Pejë, nga 6 anëtarë të Bordit, Vllaznim Përgjegjaj është militant i AAK-së.

Në Kompaninë Rajonale të Ujitjes ‘Radoniqi-Dukagjini’ në Gjakovë, Fuat Pallaska është pjesë e partisë së Kryeministrit, ndërsa Rexhë Ukaj e Kujtim Dula janë pjesë të PDK-së.

Kundër emërimeve politike së fundi ka reaguar edhe prezenca ndërkombëtare në Kosovë, si dhe shoqëria civile.