Mimoza Kusari me dy mendje, nuk po di kujt t’i bashkohet

Kryetari i PEK-ut, Milaim Zeka, ka deklaruar se nuk do t’i bashkohet asnjë partie dhe se nuk ka frikë të garojë i vetëm.

Drejtori ekzekutiv i organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj, mendon se partitë e vogla, të cilat nuk kanë arritur të lidhin koalicione parazgjedhore, rrezikojnë të mos e kalojnë pragun. Sipas tij, do të jetë e vështirë për Alternativën e PEK-un t’i sigurojnë nga 40 mijë vota, shkruan gazeta “Zëri”.

Ndonëse rreth një muaj na ndajnë nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare, Alternativës së ish-deputetes Mimoza Kusari-Lila dhe Partisë Euroatlantike të ish-deputetit Milaim Zeka nuk po u ngutet që të futen në listën e ndonjërës nga partitë e mëdha. Kusari-Lila, në të vërtetë, tentoi koalicion parazgjedhor me Vetëvendosjen, por një gjë e tillë nuk ndodhi.

Ajo po ashtu këto ditë ka zhvilluar takim edhe me nënkryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës Uran Ismailin, por pa ndonjë vendim për bashkim. Alternativa, siç ka thënë Kusari-Lila, është ofertuar edhe nga AAK-ja me PSD-në, por as kjo ofertë nuk ka bërë që ajo të ndajë mendjen se me kë do të hyjë në zgjedhjet e 6 tetorit.