Ministri Mustafa përplaset ashpër më këshilltarin e tij, ja çka ndodhi

Ministri Ekrem Mustafa përfshihet në një incident.

Menjëherë pas rehatimit si ministri i tretë i Brendshëm në këtë mandat qeveritar, Ekrem Mustafës i kanë dalë probleme.

I deleguari i deputetit Labinot Tahiri në qeveri, është përfshirë në një incident në ambientet e ministrisë.

Burime të shumëfishta i kanë thënë KTV-së se Mustafa është përplasur fizikisht me njërin nga këshilltarët e tij politikë, duke e nxjerrë atë nga zyra.

Vetë ministri Mustafa e ka pranuar për KTV-në të ketë ndodhur një incident, por e ka mohuar përplasjen fizike.

Ka thënë se ka pasur ngritje toni dhe se “kur është puna te puna, di të jetë i ashpër”.

Mustafa thotë se njerëzit e deleguar politikisht vazhdojnë të sjellin telashe në punën e tij.

Ka mohuar informacionin që deputeti Labinot Tahiri tash po kërkon shkarkimin e tij.

Deputeti Tahiri, i cili bëri çmos për t’u emëruar Ekrem Mustafa në krye të Ministrisë së Brendshme, thotë se ka pasur mospajtime me të, por për momentin nuk e ka kërkuar largimin.

Ekrem Mustafa u emërua ministër i Brendshëm, pas shkarkimit të Bejtush Gashit nga kjo pozitë, me kërkesë të partisë që i përket, AKR-së.

SHPËRNDAJE