Ministrja Hajdari tregon se kur do të hiqet taksa

Ministrja e Ekonomisë, Punës, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, ka folur gjatë një takimi sot me përfaqësues të CEFTA-s në lidhje me heqjen e taksës së vendosur nga Qeveria Haradinaj ndaj mallrave serbe në nëntor 2018.

Ajo tha se sa i përket taksës dhe reciprocitetit, janë duke i shqyrtuar të gjitha mundësitë dhe së shpejti do të dalin me një propozim.

“Duhet të kuptohet drejt se Kosova ka qenë e detyruar që të veprojë në këtë mënyrë, duke marrë parasysh qasjen dhe diskriminim që i është bërë Kosovës në raportet tregtare nga vendet anëtare të CEFTA-s”, u shpreh ministrja Hajdari.

Në takim është biseduar edhe për eliminimin e barrierave tregtare dhe fuqizimin e rolit të Kosovës integrimin rajonal.

Ministrja Hajdari u zotua se do të procedojë “Protokollin Shtesë 5 dhe 6” të CEFTA-s në Parlamentin e Koso vës për t’i ratifikuar në një periudhë sa më të shpejtë, ndërsa në “Protokolli Shtesë 7”, do të angazhohen që procedurat të përfundojnë sa më shpejt, në mënyrë që të kenë zyrtarisht Ekipin negociator të Kosovës.

“Për ne është e rëndësishme që të avancojë ky proces pasi që do të fuqizonte mekanizmin e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve tregtare, e që fatkeqësisht rajoni jonë përballet vazhdimisht me barriera tregtare”, tha Hajdari.

Gjithashtu, në takim, ministrja potencoi se edhe në pikën “Plani Shumëvjeçar i Veprimit 2.0”– Kosova përkrah çdo iniciativë, që kontribuon në avancimin e bashkëpunimit rajonal dhe gjithmonë në përfitim të të gjitha vendeve të CEFTA-s.

“Për ne është e rëndësishme që të kemi një bashkëpunim të shëndoshë me të gjitha vendet e rajonit, duke punuar në mënyrë aktive për eliminimin e të gjitha barrierave jo-tarifore, prandaj kërkoj një rol edhe më aktiv të Sekretariatit të CEFTA-s në drejtim të identifikimit dhe zgjidhjes së barrierave tregtare”, tha ministrja Hajdari.

Ajo potencoi se shpreson që procesi i njohjes së kualifikimeve profesionale të avancojë dhe u zotua se Sekretariati i CEDTA-s do ta ketë përkrahjen e saj në këtë proces për të gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshme.

SHPËRNDAJE