Ministrja Rexhepi në takim me përfaqësuesit e Bankës Botërore, jep lajm të mirë për rininë kosovare

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, e kryesuar nga Ministrja Emilija Redžepi, priti sot në takim përfaqësuesit e Bankës Botërore, ku biseduan rreth zbatimit të projektit tre vjeçar “Pjesëmarrja e Rinisë në Zhvillimin Ekonomik Lokal nga Granti JSD”. Projekti në fjalë do të financohet nga Qeveria e Japonisë dhe do të zbatohet në 10 komuna, për afro 3 milion dollarë, gjatë një periudhe tre vjeçare.

Qëllimi i përgjithshëm i këtij projekti është të përmirësojë përfshirjen socio-ekonomike të të paktën 3,000 të rinjve të papërfshirë, të moshave 15-29 vjeç, nga të gjitha komunitetet me fokus tek grupet e margjinalizuara. Ky projekt do të jetë në fushën e trajnimit dhe investimit në nismat rinore që përfshijnë të rinjtë në zhvillimin ekonomik lokal.

Ministrja Redžepi shprehu mirënjohjen e saj të thellë për përfaqësuesit e Bankës Botërore të cilët kanë identifikuar problemin e rinisë në Kosovë dhe, përmes këtij programi, përfshijnë sa më shumë të rinj në komunat e caktuara dhe afirmimin e tyre të mëtutjeshëm.

Ndihma dhe mbështetja për të rinjtë është thelbësore dhe duhet të jetë prioritet për institucionet qendrore dhe ato lokale. Në periudhën vijuese, MAPL do të përqendrohet në adresimin e problemeve të të rinjve, punësimin e tyre dhe mbështetjen e nismave të tyre. Bashkëpunimi midis MAPL-së dhe Bankës Botërore do të vazhdojë dhe kjo u konfirmua në mbledhjen e sotme të mbajtur në ambientet e MAPL-së.

SHPËRNDAJE