“Miqtë e Albin Kurtit” nga Norvegjia ndihmojnë Kosovën me 15 mijë euro

Ju kujtohet thirrja që u bëri diasporës Albin Kurti sa ishte kryeministër, për ta ndihmuar Qeverinë e Kosovës me para, në luftën kundër pandemisë COVID-19?

Gazeta Infokus ka gjetur se në fondin që po mbahet në Bankën Qendrore të Kosovës janë mbledhur gjithsej 716,773.93 euro.

Prej tyre me 15 mijë euro kanë kontribuar qytetarët nga Norvegjia, prej nga vjen edhe bashkëshortja e ish-kryeministrit Kurti.

Ndërkaq, në total, diaspora deri në qershor të këtij viti ka derdhur 667 mijë euro në thesarin e shtetit, ndërsa pjesa tjetër rreth 50 mijë euro janë mbledhur nga brenda Kosovës, shkruan gazeta Infokus.

Me më së shumti para kanë kontribuar shqiptarët që jetojnë në Zvicër, të cilët që nga hapja e llogarisë ku mund të derdhin paratë për ta ndihmuar Kosovën në luftën me virusin vdekjeprurës kanë dërguar 241 mijë euro.

Ndërkaq, gati përgjysmë më pak i kanë dërguar diaspora shqiptare nga Gjermania, të cilët në këtë fond kanë kontribuar me 164 mijë euro, shkruan gazeta Infokus.

Shqipëria është vendi i tretë në listë prej nga i janë përgjigjur më së shumti thirrjes për të ndihmuar Kosovën ta luftoi virusin Covid-19. Shqiptarët e qyteteve të ndryshme kanë dërguar 150 mijë euro.

E më së paku para për këtë nismë kanë ardhur nga Polonia. Gjithsejtë vetëm 28 euro janë derdhur në arkën e shtetit nga ky vend. Pak më shumë kanë shprehur vullnetin të dërgojnë para qytetarët nga Japonia, gjithsej 83 euro.

Mjetet e donatorëve do te alokohen për shpenzim vetëm për qëllimin e përcaktuar lidhur me menaxhimin e pandemisë “covid-19”, në pajtim me legjislacionin për financat publike dhe grantet e donatorëve.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE