Mitrovica e Veriut me 200 vota më pak në zgjedhjet e tetorit

Mitrovica Veriore në zgjedhjet lokale të 22 tetorit do t’i ketë rreth 200 votues më pak se në zgjedhjet e nëntorit të vitit 2013, shkruan sot, gazeta Zeri.

Faruk Mujka, nënkryetar i Mitrovicës së Jugut, ka thënë se pas insistimit më shumë se dy vjet, për arsye që janë thënë shumë herë, në fund ka ardhur rezultati i shumëpritur.

“Do t’i kemi 200 vota më pak në veri, por çka është më e rëndësishmja, territori i ‘Suhadollit’ dhe i ‘Lagjes së doktorëve’ më nuk do të vihen në dyshim. Këto dy vendbanime do të jenë përgjithmonë pjesë e Mitrovicës Jugore.

KQZ-ja ka mënjanuar të gjitha paqartësitë lidhur me vendvotimin e shqiptarëve të ‘Suhadollit’ dhe të ‘Lagjes së doktorëve’, të cilat shtrihen në veri të lumit Ibër, në zgjedhjet e ardhshme. Me vendimin e KQZ-së që ka marrë në mbledhjen e mbajtur më 07.08.2017, banorët e lagjeve ‘Suhadoll i Poshtëm’, ‘Suhadoll i Epërm’ dhe ata të ‘Lagjes së doktorëve’ në zgjedhjet e ardhshme do të jenë në listat e votuesve të komunës së Mitrovicës së Jugut e jo në ato të Mitrovicës Veriore, siç kishte ndodhur në zgjedhjet e kaluara”, ka sqaruar për “Zërin”, të premten, nënkryetari i Mitrovicës Faruk Mujka.

Në të vërtetë, KQZ-ja këtë vendim e ka marrë pas kërkesës së vet banorëve (votuesve) shqiptarë që jetojnë në lagjet e lartpërmendura në veri të lumit Ibër, si dhe të kërkesës së kryetarit të Komunës së Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri, pasi që këto lagje me Pakon e presidentit Ahtisaari i takojnë Komunës së Mitrovicës Jugore e jo Komunës së Mitrovicës Veriore.

SHPËRNDAJE