Mitrovicasit vrapojnë shtigjeve të Heroit Enver Zymberi (Foto)

Nënkryetari i Komunës, Faruk Mujka, në prani të babait të Herioit Enver Zymberi, kryetarit të Federatës së Atletikës së Kosovës, Halil Sylejmani, drejtorit të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport të Mitrovicës, Fidan Ademi, sportistëve të njohur dhe qindra qytetarëve të Mitrovicës, ka hapur në orët e pasdites garat në vrapimin tradicional memorial, në nderim të heroit më të ri të Kosovës, policit, Enver Zymberi, i vrarë nga ekstremistët serbë afër komunës së Zubin Potokut.

Ngjarja memorial “Vrapojmë shtigjeve të Heroit Enver Zymberi”, ka mbledhur rreth 500 atletë, të të gjitha kategorive, pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe të FSK-së.

Duke e shpallur aktivitetin të hapur, nënkryetari i komunës, faruk Mujka, ka falënderuar të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre në këtë event, duke thënë njëkohësisht se Heroi Enver Zymberi, meriton nderim dhe respektim nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe gjithë shqiptaria, sepse ai ra duke ruajtur tërësinë territoriale të shtetit të Republikës së Kosovës, sovranitetin dhe integritetin e saj.

“Duke ju përgëzuar për pjesëmarrje dhe nderim të heroit Enver Zymberi, uroj që vrapimi të jetë i lehtë për ju dhe që të arrini suksese sa më të mira. Me pjesëmarrjen tuaj të nderuar atletë, ju po tregoni se aktiviteti do të jetë i përmotshëm, ashtu sikur që do të jetë i përmotshëm kujtimi për Heroin Enver Zymberi, kujtim ky që asnjëherë të zbehet. Unë në emër të kryetarit të Komunës, Agim Bahtiri dhe në emër të institucioneve të Komunës së Mitrovicës dhe qytetarëve të saj, e shpalli të hapur aktivitetin”, tha Mujka.

Babai i heroit Enver Zymberi, Muharrem Zymberi falënderoi organizatorët, pjesëmarrësit në aktivitet dhe qytetarët e tubuar për të përcjell atë. Ai edhe me këtë rast falënderoi kolegët e Enver Zymberit që po tregojnë respekt për të birin e tij, përkatësisht shokun e tyre, Enverin.

Vendet e para i zunë:Nerva Dashevci, Lorent Mazreku, Vilson Kurti, Ejona Shala, Bleona Peci, Ideal Mazreku, Arife Peci, Arian Smajli, Hasan Jionuzaj, Luljeta Shala, Valentin Sadiku, Genntiana Peci dhe Çlirim Hyseni

Aktiviteti “Vrapojmë shtigjeve të Heroit Enver Zymberi”, është organizuar nga Komuna e Mitrovicës dhe nën përkujdesje të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport të Komunës, Ministrisë së Kulturës, rinisë dhe Sportit, Federatës Atletike të Kosovës dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.

SHPËRNDAJE