Mjegulla dhe vërteta rreth ‘korrigjimit të kufirit’

Shkruan: Shukri Klinaku

Deklaratat hashimqe të kryetarit të Kosovës; deklaratat dhe akuzat e pambështetura të shumicës së opozitës, të cilat burojnë nga mosinformimi, injoranca dhe “gulçima për pushtet”; ideja e pambështetur se Amerika ka ndërruar kursin politik me këtë presidentin e tanishëm.

E vërteta:

1. BE-ja dhe SHBA-ja kanë të njëjtin kurs politik ndaj Ballkanit, si në vitin 1999. Epilogu i luftës në Kosovë nuk ndryshoj vetëm kufirin e shqiptarëve me Serbinë, por edhe kufirin ndërmjet zonave të interesit Lindje-Perëndim. BE-ja dhe SHBA-ja duan ta përforcojnë këtë kufirin e dytë, me integrim të Serbisë në BE dhe NATO.
2. Serbia, e cila në vazhdimësi ka në krye qeveri shoveniste me nuansa plus-minus, i ka vënë kusht BE-së (dhe SHBA-së) se, kështu si është, nuk e pranoj shtetin e Kosovës.
3. Parimi i mos-ndryshimit të kufijve (gjoja) është pengesë për realizim të kushtit të Serbisë.
4. BE-ja (dhe SHBA-ja) e peshojnë këtë pengesë dhe përfundojnë: nëse Serbia dhe Kosova merren vesh paqësisht për një kufi të ri, ne i përkrahim. Sepse, epilogu për BE-në (dhe SHBA-në) është përforcim i arritjes së tyre në vitin 1999, në raport me Rusinë.
5. Shqiptarëve iu mbetet të bëjnë planin politik, strategjinë dhe ekipin më të fortë për “korrigjimin i kufirit”, i cili është i pashmangshëm.
6. Në konstelacionin e tanishëm nuk ka rëndësi renditja e hapave: njohja e Kosovës nga Serbia në këta kufij, apo pas ndërrimit eventual të kufirit.

7. HAPI KRYESOR PËR NE SOT ËSHTË: krijimi i planit politik, strategjisë dhe ekipit sa më të mirë për tu ballafaquar me “korrigjimin e kufirit”. Opozita duhet t’i lë sa më parë sharjet e fyerjet dhe t’i rreket punës në përputhje me përgjegjësitë që ka. “Sa fshatra” do t’i marr Kosova nga Kosova Lindore (kjo pyetje e papjekur)? Kjo varet edhe nga plani politik, strategjia dhe ekipi i shqiptarëve. Nëse angazhojmë më të mirët, mund të fitojmë një zgjidhje të dinjitetshme.
Pikëmbështetjet e mia për këtë qëndrim janë: mënyra e përfundimit të luftës në Kosovë; sjellja e Serbisë dhe BE-së (dhe SHBA-ve) ndaj Serbisë gjatë pasluftës, deklaratat e zyrtarëve amerikanë dhe gjermanë për “korrigjimin e kufirit”, natyrisht edhe deklaratat e kryetarit të Kosovës, të cilat burojnë nga ky qëndrim i BE-së dhe SHBA-së.

SHPËRNDAJE