‘Mjekëve në Kosovë do t’u dyfishohen pagat, të gjithë po duan të punësohen në QKUK’

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), Basri Sejdiu thotë se është shqetësuese fakti se shumica e personelit shëndetësor e ka si synim punësimin në QKUK, duke braktisur klinikat regjionale.

Sejdiu ka thënë se në institucionet ku ofrohen shërbimet shëndetësore në Kosovë, punojnë rreth 7,300 punëtorë.

Në emisionin “Përballje” me Muhamet Hajrullahun në RTV Dukagjini, Sejdiu ka thënë se prioritetet e institucionit që ai drejton janë: qendra emergjente, sistemi kardiovaskular, mjekimi intensiv dhe ambulanta specialistike.

“70 për qind e patologjive kanë qenë për sistemin kardiovaskular. E dimë se më parë kjo qendër ka qenë vetëm për referim e jo për trajtim, por nga 1 shkurti nga kjo qendër më nuk dërgohen pacientët në spitale private, por trajtohen aty”.

Drejtori i SHSKUK ka thënë se në vitin 2018 janë punësuar në institucionet që ofrojnë shërbime shëndetësore rreth 300 persona.

“Falënderoj Ministrinë e Financave që na ka lejuar të punësojmë këtë vit 80 mjekë dhe 200 infermierë të ri, gjë që nuk ka ndodhur deri më tani”, tha Sejdiu, përcjell Telegrafi.

Sipas drejtorit të ShSKUK-së, është shqetësuese fakti se shumica e personelit shëndetësor e ka si synim punësimin në QKUK, ndërsa nuk pëlqejnë spitalet regjionale.

“Konkurset kanë qenë të zbrazëta në spitalet regjionale. Të gjithë po duan ekskluzivisht punësim në QKUK”.

Sejdiu ka thënë se në Kosovë po merren masa për të ndaluar largimin e mjekëve në mënyrë parashihet që mjekëve do t’u dyfishohen pagat.

“Kemi filluar seriozisht me iniciativa edhe në nivel të qeverisë, që mjekët në Kosovë do të kenë paga që nuk do ta kenë as në regjion. Përafërsisht do të dyfishohen pagat, sindikata e di më së miri”, tha ai.

Sejdiu ka thënë se qëllimi i institucionit që ai drejton është që çdo klinikë t’u ofrojë qytetarëve shërbime dhe mos t’i drejtojë në institucione tjera private apo jashtë shtetit.

“Viti i ardhshëm do të ketë edhe një përparësi, sepse do të ketë buxhet të dyfishuar për blerjen e pajisjeve, e që do të ndihmoj edhe në ligjin e sigurimeve shëndetësore”, tha Sejdiu.

SHPËRNDAJE