Mjekja raporton për gjendjen e qytetares nga Skënderaji: Ka ardhë me vetëdije por konfuze

Pas disa ditë kërkimesh nga mobilizimi i qytetarëve vullnetarë, u gjet Egzona Ferati, qytetarja 26 vjeçe nga Skënderaji për vendndodhjen e së cilës familja nuk ishte në dijeni.

Pasi u gjet, ajo është dërguar në QKUK për përkujdes shëndetësor ndërsa për gjendjen e saj ka folur mjekja kudestare, Dafina Basholli.

Ajo ka thënë se në fillim Egzona kishte qenë konfuze ndërsa dikur ka filluar të komunikojë me personelin e dalëngadalë po merr veten.

“Ka ardhë me vetëdije, konfuze, e cila nuk komunikonte me hipotermi, e cila pas marrjes së terapisë dhe ngrohjes së pacientës, temperatura trupore ka fillu me u rritë dhe pulsi është rritur dhe përmirësuar…Tani ka fillu pak nga pak ka fillu me komuniku me personelin…Sipas informacioneve, ka qëndruar në fushë me ditë të tëra në ambient të hapur, për fat të mirë s’ka marrë ngrica”, tha mjekja Basholli.

Egzona ishte zhdukur që nga 19 tetori ndërsa është gjetur në fshatin Çikatovë e Vjetër të Drenasit.