Mjerimi, shtëpi pa kulm e dyer, 7 familjarët hajn bukën e mbetur të fqinjëve

Në një mjerim të tillë, Hava Boci rrit 3 fëmijët e saj. Por, në këtë shtëpi në fshatin Sharrdushk të Rrogozhinës rrojnë 7 frymë.

Buka që hanë shpesh ështe e falur, ose e marrë borxh nëpër dyqane. Përveçse e gatuan, Havasë i duhet t’i ruajë edhe nga minjtë.

Pa dyer, pa tavan e pa dysheme, e vetmja stinë kur jetohet pothuaj pa rrezik në këtë shtëpi është vera. Në dimër, shiu i vë në kushte mbijetese banorët fatkeq.

E shoqja lufton brenda 4 mureve, ndërsa Beqiri kryefamiljar punon ku mundet.

Jeta me vetëm 3.000 lekë ndihmë ekonomike është e vështirë dhe mjekimet për gjyshen e verbër 80-vjeçare nuk blihen kurrë.

“Ne me aq sa kemi pasur mundësi, me ushqime e gjëra të tjera i kemi ndihmuar. Për t’iu bërë një shtëpi të re nuk kemi mundësi”, thotë Ledion Hasa.

Ledioni është një ndër fqinjët që u vijnë në ndihmë familjes Boci, por siç e thotë edhe ai vet, kjo është veçse një zgjidhje e përkohshme, pasi për t’u kthyer buzëqeshjen dhe dinjitetin familjes Boci duhet më shumë.

SHPËRNDAJE