Molliqaj i drejtohet popullit si kryetar i partisë duke i kujtuar VV’së se historia s’merr fund me ta

Dardan Molliqaj thotë se ka pranuar ta udhëheqë PSD’në në një periudhë të vështirë, sepse, sipas tij, pas cdo dështimi ka një përpjekje të re. Në njoftimin e parë të tij si kryetar, Molliqaj godet ish-partinë e tij, Vetëvendosjen, dhe tregon se do të vazhdojë të jetë opozitë e saj.

Kryetari i zgjedhur i Partisë Sociademokrate, Dardan Molliqaj, shkruan se partia e tij, përkundër rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit, do të vazhdojë angazhimin, sipas politikës, që ai thotë se ky subjekt beson.

Ai në një postim të Facebook ka shkruar se Kosovën e pret një qeveri populiste, ndërsa thotë se Vetëvendosjes do t’i tregojë se historia nuk merr fund me të, transmeton Gazeta Express.

“Përtej iluzionit të ndryshimit, Kosovën po e pret qeverisja populliste me mendësi totalitare. Dhe derisa me entuziazëm, popullistët e rinj, parashikojnë që nuk do të ketë opozitë as alternativë përballë pushtetit të tyre, ne do të jemi këtu t’ua kujtojmë që historia s’merr fund me ta. Që ka ende njerëz në Kosovë që besojnë në progres. Ka ende njerëz në Kosovë që nuk i tremb hegjemonia e pushtetit të ri. Që ka ende njerëz në Kosovë që popullizmin e tyre do ta sfidojnë me politikë të majtë progresive. Dhe këta njerëz, një ditë do të bëhen shumë”, ka shkrua kryetari i PSD’së.

Shkrimi i plotë i Molliqajt:

Të dashur miq, aktivistë e aktiviste,

Sot Partia Socialdemokrate iu përgjigj thirrjes tuaj për të mos e ndalur përpjekjen, përkundër zhvillimeve të fundit elektorale. Sot treguam që nuk e shohim politikën përmes rezultatit afatshkurtër zgjedhor, por përmes idealeve dhe kauzave që u besojmë.

Pranova zgjedhjen tuaj që ta udhëheqi PSD-në në këtë fazë të vështirë, ngase besoj shumë që tek çdo dështim mbarset një përpjekje e re; dhe besoj shumë që rruga e progresit dhe fitores kalon pashmangshëm nëpërmes dështimeve. Vetëm ata që nuk zmbrapsen para krizave mund të prodhojnë diçka të re në politikë.

Përtej iluzionit të ndryshimit, Kosovën po e pret qeverisja populliste me mendësi totalitare. Dhe derisa me entuziazëm, popullistët e rinj, parashikojnë që nuk do të ketë opozitë as alternativë përballë pushtetit të tyre, ne do të jemi këtu t’ua kujtojmë që historia s’merr fund me ta. Që ka ende njerëz në Kosovë që besojnë në progres. Ka ende njerëz në Kosovë që nuk i tremb hegjemonia e pushtetit të ri. Që ka ende njerëz në Kosovë që popullizmin e tyre do ta sfidojnë me politikë të majtë progresive. Dhe këta njerëz, një ditë do të bëhen shumë.

Vetëm përmes perspektivës së aktivizmit dhe angazhimit këmbëngulës, mund të shohim përtej pashpresës e zhgënjimit. Bashkë, sot e pamë të ardhmen tonë në politikë. Të ardhmen si përpjekje e pandalshme edhe kur gjithçka përreth na thotë të ndalemi; të ardhmen si rrugë përplot me vështirësi, sfida e përbuzje. Por të ardhmen që në fund patjetër do të jetë e ndritur 😊

Ju falenderoj për entuziatmin e mbështetjen që e treguat sot. I falenderoj gjithë strukturat e deritashme drejtuese të PSD-së, së bashku me të cilët i përballëm fazat e vështira të së kaluarës.

SHPËRNDAJE