Molliqaj zbulon koalicionin e ardhshëm qeverisës

Deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se formula e qeverisjes së ardhshme në Kosovë është binomi LDK-PSD.Molliqaj, në “Debat Plus” në RTV Dukagjini, ka thënë ka pasur takime me strukturat e larta të LDK dhe këta të fundit e kanë kuptuar se strategjia e bashkëpunimit LDK-VV për rrëzimin e qeverisë ka qenë e gabuar.

“Është ditur që nga fillimi se strategjia e tyre do të dështojë. Nëse ty të vyejnë votat e PSD-së, ty të duhen votat e tyre. Duke i thënë tjetrit se ti je me SHIK-un, tradhtar etj., nuk ka kuptim të kërkosh votat e tyre”, tha ai.

Deputeti i PSD-së, ka thënë se tashmë LDK në deklaratat publike po e përmendin bashkëpunimin me VV-në dhe PSD-në.“Për dallim nga para një viti, edhe interesimi, edhe veshët e zyrtarëve të LDK-së janë jashtëzakonisht të kthyer nga ajo që po thotë PSD.

Ky është lajm i mirë për Kosovën… Unë besoj që formula për rrëzimin e qeverisë aktuale dhe ndërtimin e qeverisë së ardhshme është LDK-PSD. Sigurisht që për rrëzimin e kësaj qeverie nevojiten votat e Vetëvendosjes dhe Alternativës”, tha Molliqaj.Molliqaj ka thënë se LDK ka mirëpritur planin e PSD-së për shkuarje në zgjedhje të reja parlamentare.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE