Monografia “Gjenocidi serb në rajonin e Pejës mars-qershor 1999”, nga Teuta Shala-Peli

Në monografinë “Gjenocidi serb në rajonin e Pejës mars-qershor 1999”, autorja Teuta Shala-Peli ka për objekt studimi krimet e gjenocidit të forcave serbe në rajonin e Pejës respektivisht në Fushë të Pejës, Katund i Ri, Qyshk, Pavlan, Zahaq, Nakëll, Llabjan, Ramun, Leshan dhe Kliçinë, gjatë muajve mars, prill, maj dhe qershor të vitit 1999, duke përfshirë vrasjet e popullsisë civile shqiptare, si dhe format e tjera të dhunës të përdorura nga forcat serbe nga fundi i marsit 1999 përkatësisht nga 25 marsi e deri më 14 qershor 1999. Në mes të tjerash, kjo vepër trajton rrahjet, plaçkitjet, dëbimet, burgosjet si dhe maltretimet e tjera ndaj popullsisë civile të kësaj treve të Kosovës.

Struktura e kësaj monografie është konceptuar në tre krerë: Kreu i parë: Aspekte të përgjithshme për personat e vrarë nga forcat serbe në rajonin e Pejës (mars-qershor 1999), trajton gjendjen e përgjithshme të krijuar në vendet në fjalë gjatë muajve mars-qershor 1999, ku si rrjedhojë e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në Kosovë, forcat serbe ushtruan dhunë duke vrarë, plagosur, burgosur e dëbuar me dhunë popullsinë civile nga Kosova. Kreu i dytë: Tipat, llojet dhe format e ndryshme të krimeve serbe në rajonin e Pejës (mars-qershor 1999), përfshinë vrasjet në masë si dhe të gjitha format e dhunës të ushtruara ndaj popullsisë civile shqiptare. Në brendësi të këtij kapitulli janë përfshirë edhe dëshmitë e atyre personave që i përjetuan dhe ju mbijetuan krimeve të kësaj kohe. Kreu i tretë: Shënime biografike për personat e vrarë dhe të pagjetur, mars-qershor 1999, përmban 160 biografi të shkurtra për të gjithë personat e vrarë dhe të pagjetur, në përjashtim të dy personave të cilët janë të pa identifikuar.

Kjo monografi përmban edhe shtojcën në kuadër të të cilës janë prezantuar listat e personave të vrarë, të plagosur dhe të pagjetur gjatë muajve mars-qershor 1999.

Përmes kësaj vepre, autorja konstaton se prej 25 marsit e deri më 14 qershor të vitit 1999, nga forcat policore e ushtarake serbe, në vazhdimësi janë kryer krime të gjenocidit, në shënjestër të të cilave ishin civilët shqiptarë, pa dallim moshe e gjinie, në Fushë të Pejës, Katund i Ri, Qyshk, Pavlan, Zahaq, Nakëll, Llabjan, Ramun, Leshan dhe Kliçinë.

SHPËRNDAJE