Mourinho: Braziliani Ronaldo është Ronaldo më i mirë i të gjitha kohërave

Duke folur në një dokumentar të ri për trajnerin legjendar Bobby Robson, Jose Mourinho ka theksuar se braziliani Ronaldo është Ronaldo më i mirë që ia kanë parë sytë ndonjëherë.

Filmi në pyetje mban titullin “Bobby Robson, më shumë se një trajner”, i cili flet për jetën e trajnerit legjendar. Robson i ka drejtuar klubet si Sporting Lisbon, PSV, Porto dhe Newcastle, por klubi më i famshëm që ai e ka drejtuar gjatë karrierës së tij është Barcelona.

Me Barçën, ai e fitoi Kupën e Mbretit, Super Kupën e Spanjës dhe Kupën Evropiane Të Fituesve të Kupës (European Cup Winners’ Cup), dhe mori vendimin mjeshtëror duke e sjellë Ronaldo Nazarion, ikonën braziliane në “Camp Nou”.

Ronaldo i shënoi 47 gola gjatë një sezone të vetme në Barcelonë, para se të largohej. Ndërsa, gjatë karrierës së tij, braziliani i ka shënuar 414 gola në total, përfshirë 62 në 98 ndeshje për Brazilin. Ai e udhëhoqi kombin e vet drejt triumfit në Kupën e Botës më 2002, duke shënuar së paku një gol në çdo ndeshje, përveç njërës, tetë në total.

Robson, i cili ndërroi jetë në vitin 2009, e takoi për herë të parë Mourinho më 1992, kur tani trajneri legjendar u bë përkthyes i tij në Sporting Lisbon. Robson e vërejti talentin e Mourinhos, dhe nga aty e mori me vete në Porto e pastaj në Barcelonë, ku Mourinho mbeti edhe pasi Robson u largua.

Pas asaj kohe, Mourinho i ka drejtuar disa prej klubeve më të mëdha në botë, nga Chelsea te Interi, Real Madridi dhe tani Manchester Unitedi. Në Madrid, Mourinho e trajnoi një Ronaldo tjetër: Cristianon. Shumë njerëz e konsiderojnë Cristiano Ronaldon si njërin prej futbollistëve më të mirë të të gjitha kohërave, por Mourinho nuk është pajtuar, duke theksuar se braziliani Ronaldo ishte më i mirë.

“Ronaldo Nazario, Ronaldo më i mirë i të gjitha kohërave! Kurrë nuk kam parë si ai, kurrë nuk kam parë si ai”, thotë Mourinho në dokumentar. /Gazeta Express/

SHPËRNDAJE