MPJ i bjen pishman për Gjuriqin, ai sot qëndron në Kosovë

I ashtuquajturi shef i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, sot do të qëndrojë në Kosovë. Ai, ka leje për vizitë vetëm në Qendrën e Studentëve në Mitrovicën e Veriut. Kështu është konfirmuar për Express nga zyrtarë të MPJ’’së, të cilët dje në mëngjes kishin thënë se zyrtari serb ka leje për të hyrë në Kosovë, por në mbrëmje kishin pohuar të kundërtën. Por, ata pohojnë se nëse Gjuriq që do të vijë vendos të bëjë diçka kundër rregullave në Kosovë, ai do të përfundojë në pranga

Marko Gjuriq, i cili ka ardhur në Kosovë në ditën e festës serbe Vidovdan, do të mund të shkojë vetëm në Qendrën e Studentëve në veri të Mitrovicës dhe askund tjetër.

Leja që nga Ministria e Punëve të Jashtme atij i është dhënë vetëm për vizitë në këtë qendër, u konfirmua nga Jetlir Zyberaj, këshilltari i ministrit Behgjet Pacolli.

“Kërkesa është bërë normalisht për një vizitë sipas rregullave dhe është aprovuar. Ai ka leje vetëm për vizitë në Qendrën e Studentëve në veri”, ka thënë Zyberaj.

Vizita e Marko Gjuriqit në Kosovë po ndodhë në kohën kur në veri po përgatitet një skenar për një “katastrofë humanitare”. Madje, atje po pretendohet se dyqanet kanë mbetur pa ushqim dhe barnatoret pa barna.

Në mars të vitit të kaluar, Gjuriq u arrestua nga Njësia Speciale e Kosovës për shkak se nuk kishte marrë leje të vinte në Kosovë. Por, a do të ndërmarrë ai sërish diçka kundër rregullave dhe të arrestohet?

Jetlir Zyberaj për Express tha se arrestimi i Marko Gjuriqit mund të ndodhë vetëm nëse i thyen rregullat.

“Po, arrestohet, sikur secili person tjetër që i thyen rregullat”, ka thënë Zyberi.

E në veri, është vendosur që më datën 1 korrik të mbyllen të gjitha dyqanet ushqimore, përfshirë edhe furrat.

Kështu ka thënë kryetari i Afaristëve të Veriut të Kosovës Radosh Petroviq. Ai ka shtuar se në kohë të fundit është ndërprerë krejtësisht importi i mallrave nga Serbia për shkak të kontrollit të ashpër nga Policia Kufitare e Kosovës. Mirëpo, kjo po mohohet nga ana e institucioneve të Kosovës./GazetaExpress/