Muhaxhiri: Samiti i Berlinit – dëshmi e dështimit të BE-së dhe e domosdoshmërisë për ndryshim

Samiti i Berlinit gjatë ditës së djeshme mblodhi të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor.

Analisti politik Artan Muhaxhiri ka vlerësuar që ky samit i pati dy anë – atë pozitive dhe negative.

“Ana pozitive ishte në faktin se u pa qartë që në çfarë niveli të zymtë është dialogu Kosovë-Serbi dhe sa larg janë pozicionet e palëve. Prej tash, duhet të planifikohet avancimi drejt një qasjeje më konstruktive”.

“Ana negative konsistoi në dëshminë se për më shumë se tetë vjet dialogim – prej muajit mars të vitit 2011 – nuk u evidentuan të mira. Pra, mbase ka qenë një dialogim shterp”.

“Duket se ka qenë një humbje kohe, sepse sot palët janë më larg sesa që kanë qenë në fillim. Kosova dhe Serbia, pas tetë vjetësh dialog, janë më larg sot sesa që kanë qenë në fillim – çështja e taksës nga ana e Kosovës, lobimi për çnjohje nga ana e Serbisë, si dhe kemi një diskurs shumë më të ashpër nga përfaqësuesit e të dy palëve”.

“Samiti i Berlinit ndikoi në qartësimin e situatës, por në të njëjtën kohë është edhe zhgënjim për kohën e humbur deri më tash”.

Muhaxhiri në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se çështja kryesore që Samiti i Berlinit vuri në pah është që Bashkimi Europian ka dështuar në dialogun e deritashëm, prandaj nevojitet ndryshim.

“Nëse faktorët ndërkombëtarë dëshirojnë të kenë një përfundim të suksesshëm të dialogut, atëherë duhet ta ndryshojnë qasjen, sepse me ketë qasje nuk mund të shkohet përpara”.

Ai ka komentuar edhe rolin e Gjermanisë dhe Francës në dialogun dhe arritjen e një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

“Gjermania dhe Franca kanë përgjegjësi shumë më të madhe brenda BE-së, që ndonjëherë është institucion i çuditshëm, sepse vota e një Qiproje shumë të vogël është e barabartë me atë të Gjermanisë gjigante”.

“Mirëpo, në aspektin faktik politik, pushtetet ndryshojnë përbrenda BE-së. Gjermania dhe Franca, pas largimit të Britansië së Madhe nga BE-ja, e kanë obligim që të merren në mënyrë të drejtpërdrejtë – jo përmes BE-së – sepse dështimi i dialogut do të jetë dështim edhe i tyre”.

“Nëse në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë është investuar kaq shumë kohë, janë investuar shumë resurse nga BE-ja, dhe nuk ka rezultate, ose edhe më keq – ka rezultate negative – ky është alarm për vendimmarrësit, posaçërisht për Gjermaninë dhe Francën, që ta ndryshojnë qasjen”.

“Tash duhet të kalohet në qasjen e famshme ‘Shkopi dhe Karota’, ku për çdo respektim të planifikimeve konkrete të koordinuara nga BE-ja merret një shpërblim, ndërsa për çdo mosrespektim merret një dënim”.

“Gjithsesi duhet të kalohet në një nivel më konkret, sepse me nivelin e deritashëm të bisedimeve nuk është arritur asgjë”.

“Nuk ka asnjë indikacion që mund të ketë përfundim të suksesshëm të bisedimeve nëse nuk ka presion direkt. Liderët e Gjermanisë dhe Francës kanë treguar se prej tash do ta kenë qasje më të personalizuar ndaj dialogut”.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE