Mungesa e edukimit shëndetësor në edukim

Shkrim nga Dr.Sylejman Meholli

Tash e 20 vite në sistemin arsimor kemi provuar shumë programe, plane, modele e kurikula. Në as një nga këto nuk u përfshi lënda mësimore e Edukimit Shëndetësor, qoftë në nivelin e arsimit fillor apo të mesëm (përjashtim shkollave profesionale të mjekësisë)!

Nuk është për tu habitur pse nuk dijmë të sillemi në situata pandemike siç po ndodh tani, me (mos) respektimin e masave parandaluese kunder Coronaviruesit COVID 19!

Nuk janë të gjithë mjekë e as profesionistë shëndetësorë, prandaj një nivel bazik të edukimit shëndetësor të shoqërisë sonë në nivel Republike, do të duhej ta synojmë përmes sistemit arsimor.

Edukimi shëndetësor, do të duhej që të përfshijë temat kryesore të edukimit shëndetësor, të përpiluara nga bashkëpunimi mes Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Shumë sëmundje edukim parandaluese do të parandaloheshin me parimin antik të mjekësisë “më mirë të parandalosh, se sa të shërosh”, duke edukuar shoqërinë tonë nga poshtë lartë, e jo nga lartë poshtë!

Nuk ka respektim të kënaqshëm të masave profillaktike pa edukim, nuk ka parandalim pa edukim, nuk ka emancipim pa arsimim, nuk ka arsimim pa shëndet, nuk ka shëndet pa edukim shëndetësor!

Le të jetë pandemia e Coronavirusi COVID 19, momentum reflektimi për institucionet përgjegjëse që lënda e Edukimit Shëndetësor të jetë pjesë e kurikulave, e mjeku e infermieri pjesë e shkollave.

Parandalimi është ADN-ja e politikës shëndetësore që kushton pak, e kursen shumë, që kërkon durim, por që jep rezultat.

SHPËRNDAJE