Mustafa tregon pse la Shqipërinë për Kosovën: Sulmuesi është i gatshëm për ndeshjen ndaj Anglisë

Përfaqësuesja U21 e Kosovës është përforcuar edhe me një tjetër futbollist. Bëhet fjalë për sulmuesin, Valdrin Mustafa.

Mustafa është 21 vjeçar dhe luan në pozitën e qendërsulmuesit. Momentalisht është pjesë e skuadrës së dytë të Hannoverit, teksa në të kaluarën ka luajtur edhe për Kaiserslautern dhe Saarbrucken.

Së fundmi Valdrin Mustafa ishte pjesë edhe e Shqipërisë U19 dhe U21, por vendosi që të largohet nga atje dhe t’i bashkohet Kosovës. Në një bisedë me Gazetën Metro, Mustafa ka treguar arsyet e këtij vendimi.

“Së pari e falenderoj shumë Kombëtaren e Shqipërisë, që isha pjesë e tyre. Vendimi erdhi pasi dëgjova zemrën time. Familja ime është nga Kosova dhe kështu vendosa. Kombëtares së Shqipërisë i uroj shumë suksese në të ardhmen” – tha fillimisht ai.

Tutje, Valdrin Mustafa konfirmoi se ai është i gatshëm për ndeshjet kualifikuese të Kosovës U21, teksa beson se shumë shpejt mund të bashkohet edhe me skuadrën A të Kosovës.

“Për ndeshjen e shtatorit jam gati. Besoj që pas një kohe do t’i bashkohem edhe Kombëtares A” – tha sulmuesi i ri i Kosovës për ‘Gazeta Metro’.

Kosova U21 më 9 shtator takohet me Anglinë. Ndeshja është e vlefshme për kualifikime në Kampionatin Europian ‘Euro U21’./gazetametro.net

SHPËRNDAJE