Naser Ramadani me plot 48 mijë euro të hyra në vit, gruaja e tij i merr 10 mijë euro nga Instituti

Një prej figurave që ka dalë në sipërfaqe në kohë pandemie, është edhe Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani. Ramadani që u bë i njohur edhe me motot “virusi nuk ka këmbë” dhe së fundi edhe me “secili ka të drejtë të infektohet”, udhëheq me këtë institucion hiç më pak se nga viti 2006, prej të cilit merr rreth 14 mijë euro çdo vit.

Por, këto nuk janë të hyrat e vetme të Ramadanit. Përveç parave që merr nga IKSHP’ja, ai merr edhe rreth tetë mijë euro nga Universiteti i Prishtinës, mbi 1 mijë euro të tjera nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, rreth 5 mijë e 300 euro nga Bordi i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar dhe mbi 1 mijë e 700 euro nga Ministria e Shëndetësisë( Nga Bordi i ShSKUK-së, Ramadani është shkarkuar nga Albin Kurti)

Ndërkohë tek të dhënat e tjera në regjistrin për deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, profesor Ramadani ka deklaruar se merr edhe rreth tetë mijë euro nga një kolegj privat dhe 9 mijë e 180 euro nga konsulenca KFOR-NATO.

Në total, të hyrat vjetore të tij sillen rreth 48 mijë euro.

Përveç Ramadanit, pagë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik merr edhe bashkëshortja e tij. Ajo paguhet mbi 10 mijë euro në vit nga Instituti, derisa merr edhe rreth 2 mijë euro nga trajnimet.

Ramadani ka edhe goxha para të gatshme në bankë, por që nuk i mungojnë as borxhet.

I pari i IKShP’së ka rreth 25 mijë euro të kursyera në bankë, bashkëshortja e tij gati 36 mijë euro, derisa fëmijët e tij mbi 18 mijë euro.

Ai ka edhe kredi në vlerë prej 14 mijë e 300 euro, derisa bashkëshortja e tij u ka borxh bankave mbi 32 mijë euro.

Tek pasuritë e paluajtshme, Ramadani ka deklaruar një banesë në vlerë prej 111 mijë  e 528 euro, në pronësi të përbashkët, një banesë tjetër në vlerë 60 mijë euro dhe një shtëpi me truall në vlerë prej 150 mijë euro, që i ka në pronësi të përbashkët.

Ndërkohë, si pasuri të luajtshme ka deklaruar një veturë Toyota në vlerë prej 11 mijë e 230 euro dhe veturën e bashkëshortes në vlerë 12 mijë e  500 euro.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE