Natë magjike për 10’shin magjik – kalon Gerd Müllerin

Messi shënoi gol të bukur kundër Real Sociedad, për ta lënë prapa Gerd Müllerin për gola të shënuar në Ligë për një skuadër.

Nga 2:0 në 2:4, Barcelona ka përmbysur rezultatin ndaj Real Sociedad, për të treguar se ky është sezoni i saj. Në xhiron e 19’të, Barça rrëmbeu pikët e plota në një stadium që nuk fitonte në kuadër të La Ligas që prej vitit 2007, “Anoeta”.

E kush tjetër është më meritori për këtë përmbysje dhe paraqitje mbresëlënëse të Barcelonës përveç Lionel Messit që pavarësisht se shënoi vetëm një gol, ai ishte koka e katalunasve dhe çelësi i fitores.

Për të përmbyllur më së miri paraqitjen mbresëlënëse, Messi shënoi një gol magjik në minutën e 85’të, për t’u shpallur në fund lojtari i ndeshjes dhe për të thyer një rekord të madh.

Numri 10, magjiku i Barcelonës, la prapa Gerd Müllerin për sa i përket golave të shënuar në Ligë për një klub. Me golin kundër Sociedad, ai shkoi në kuotën e 366 finalizimeve, një më shumë se gjermani.

Barcelona ka grumbulluar 51 pikë, 19 më shumë se Real Madridi, këta të fundit mund të ngushëllohen me faktin se kanë një ndeshje më pak të zhvilluar. /Gazeta Express/

SHPËRNDAJE