NBA: Lakers turpërohet pa LeBronin, Oklahoma e Milwaukee marrin fitore

Pa LeBron James që vazhdon të mungojë për shkak të një dëmtimi, Los Angelos Lakers ngjason më shumë me një skuadër pa busull. Mbreti vlen më shumë se 75% e skuadrës te Lakers të cilët pa yllin e tyre pësuan humbjen e 2-të radhazi dhe të 4-n në 5 ndeshjet e fundit, duke rrezikuar edhe vendin e 8-të në konferencën e Perëndimit, pozicionin e fundit që të kualifikon në play-off. Në Staples Center 16-herë kampionët e NBA ranë përballë New York Knicks me rezultatin 112-119. Këmbanat e alarmit kanë nisur të bien te kalifornianët pasi të mundesh nga një skuadër që vjen nga 8 humbje radhazi dhe po zhvillon një nga sezonet e saj më të dobëta në histori është një sinjal shumë i keq. 58 pikët e treshes Ingram-Caldwell Pope-McGee ishin të pamjaftueshme për LA Lakers të cilët pësuan disfatën e 18-të në 39 takime.

Por nëse skuadra e dytë më e titulluar në NBA po kalon një moment vërtetë të errët nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Oklahomën. City Thunder vijuan ecurinë pozitive me një fitore vërtetë të madhe brenda në Oregon përballë Portland Trail Blazzers me rezultatin 111-109. Falë 37 pikëve të Paul George i cili në këtë sezon po realizon edhe më shumë se ylli i Oklahomës Rusell Westbrook i cili e mbylli ndeshjen me 31 pikë, skuadra e trajnerit Billy Donovan mori një fitore me peshë e cila e mban në vendin e 2-të në Perëndim dhe për më tepër nëse vazhdon me këtë ritëm, Oklahoma mund t’i kërcënojë pozicionin e parë surprizës Denver Nuggets.

Fitore e thjeshtë e Boston Celtics që në TD Garden kaloi pa probleme me rezultatin 114-93 Dallas Mavericks. Brown ishte pikëshënuesi më i mirë i Celtics me 21 pikë, megjithatë për t’u përmendur është paraqitja e Gordon Hayward i rikthyer më i fortë se kurrë pas atij dëmtimi horror ku theu këmbën duke humbur të gjithë sezonin e kaluar. Me 16 pikë 8 asiste dhe 11 rikuperime Hayward ishte thjeshtë fantastik. 144 pikë në një ndeshje dhe asnjë lojtar që nuk e mbyll ndeshjen me 20 pikë e sipër. Milwaukee Bucks është për rekorde dhe e meriton plotësisht vendin e parë në Lindje. Në Wisconsin formacioni i Budenholzer shkërmoqi Atlanta Haëks me rezultatin 144-112, me trajneri e Bucks që mposhti ish skuadrën e tij në një sfidë ku pikëshënuesit më të mirë ishin Middelton dhe Brogdon me 19 pikë ndërsa plot 8 basketbollistë të Milwaukee arritën një kuotë pikësh me dy shifra. /Gazeta Express/

SHPËRNDAJE