NBA: Përcaktohen finalet e Konferencave në play-off

Në NBA janë dhënë verdiktet e fundit sa i përket fazës së gjysmëfinaleve të “play off”-eve. Në Konferencën e Perëndimit, skuadra që do të vihet përballë Golden State është Portland, që fitoi ndeshjen e 7 ndaj Denverit në “Pepsi Center” me rezultatin 100-96, duke e mbyllur serinë e ndeshjeve në 4-3.

Njeriu i ndeshjes për “Trailblazers” u bë CJ McCollum, me 37 pikë personale të shënuara. Ishte një ndeshje disi nervoze, pasi të dyja skuadrat zbritën në parket me idenë që nuk mund të gabonin. Fillimi ishte më i mirë për Denverin, që e mbylli periodën e parë 29-17.

Me kalimin e minutave, kjo diferencë u rrit, me “Nuggets” që e çuan në 17 pikë në një moment. Por, pas pushimit të ndeshjes, situata ndryshoi krejtësisht, me Portlandin që besoi te McCollum, i cili ishte në një ditë fantastike, ndërkohë që te Denveri filloi të shfaqej frika.

Ishin 12 minutat e fundt të sfidës, ato që vendosën fatin e saj, me Portlandin që bëri më mirë, duke siguruar finalen e Konferencës së Perëndimit që i mungonte nga viti 2000.

Në Konferencën e Lindjes ishte Toronto që preu biletën për në finale, pasi mundi Philadelphian 92-90 në një ndeshje me emocione të forta. Në “Scotiabank Arena” të Torontos, në parket u panë dy skuadra që luftuan në çdo moment të sfidës, nga fillimi deri në fundin e saj.

Ai që vendosi fatin e saj në favor të skuadrës kanadeze ishte Leonard, kur kishin mbetur 4.2 sekonda nga fundi i sfidës dhe rezultati ishte i barabartë. Leonard mori topin nga rivënia, shkoi drejt këndit për të bërë gjuajtjen e tij pikërisht në momentin që do të dëgjohej sirena, duke u treguar i saktë për t’i dhënë goditjen e fortë Philadelphias e për të çuar skuadrën e tij në finale, ku e pret skuadra e Milwaukee Bucks.

Një finale kjo që premton spektakël, pjesë e së cilës do të jetë edhe sfida Leonard-Antetokounmpo./Tch/

SHPËRNDAJE