Ndarja nga jeta e studentit të Mjekësisë, kolegët e tij studentë zbulojn diçka shokuese për profesorët

Leutrim Gjini, 23 vjeçar nga komuna e Suharekës, humbi jetën të hënën si pasojë e një sulmi kardiak. Leutrimi pësoi sulm kardiak derisa po priste të hynte në provimin e lëndës Gjinekologji.

Vdekja e tillë ngjalli reagime të shumta, sidomos tek studentët e Fakultetit të Mjekësisë, të cilët pretendonin se deri tek sulmi kardiak i Leutrimit ka ardhur si pasojë e stresit të madh që kishte për provimin.

Organizata “Paqja Studentore” dega në Mjekësi, kanë thënë se nuk dinë se si ta cilësojnë vdekjen e kolegut të tyre, Leutrim Gjinit.

Përfaqësuesi i kësaj organizate, Adrit Bilalli ka thënë për Telegrafin se lajmi për vdekjen e Leutrimit ka qenë i dhimbshëm dhe i papranueshëm për ta.

“Fillimisht ne si organizatë nuk dimë se si të cilësojmë vdekjen e dikujt e aq më pak vdekjen e studentit dhe kolegut tonë Leutrim Gjini, mirëpo, natyrisht pas lajmit se kolegu dhe studenti i shkëlqyer është ndarë nga jeta ka qenë e dhimbshme dhe e papranueshme për ne”, ka thënë Bilalli.

Ai madje ka treguar edhe raportet mes nxënësve dhe profesorëve në Fakultetin e Mjekësisë, ku ka theksuar se profesorët kanë arritur të ndjellin frikë tek studentët me qëndrimet e tyre dhe imazhin e një profesori të zorshëm.

“Zakonisht në Fakultetin e Mjekësisë, në kohën e provimeve studentët dëgjojnë shprehje të tilla si: ‘’Ishalla e kalon sepse tek kush paske me hy në provim, zor e paske’’ dhe ‘’Ky profesor dy ose tre studentë i kalon për një afat’’, të tilla shprehje ndikojnë në psikologjinë time por edhe kolegëve të mi.

Me anë të këtyre, profesorët kanë arritur të ndjellin një lloj frike dhe të japin imazhin e një profesori zor të kalueshëm dhe kjo shkakton stres tek studentët qysh në vitin e parë të studimeve.

Mirëpo, në rastin e Leutrimit, si organizatë nuk kemi ndonjë qëndrim konkret pasi siç është bërë e ditur, se ai kishte hyrë në provim dhe sipas profesoreshës së lëndës, kolegu ka qenë i shkëlqyer gjatë provimit.

Ndonëse vdekja e tij është mjaftë e dhimbshme, kjo shpresoj dhe besoj të arrijë që të vetëdijsojë në radhë të parë studentët, profesorët e deri tek Ministria e Arsimit”, ka thënë Bilalli.

Lidhur me vdekjen e studentit Gjini ka reaguar dje edhe Senati i Universitetit të Prishtinës, të cilët kanë thënë se ” Profesorët tonë, duhet të tregojnë maturi dhe kujdes me qasjen e tyre me studentë, ata në rend të parë duhet të jenë si prindër të dytë, pastaj edhe shok dhe tek në fund profesor”.

Në reagimin e Senatit po ashtu është thënë se bërja e profesorit të vështirë sjellë frikë e stres tek studentët.

Ndërkaq drejtoresha e klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, Myrvete Paçarada e cila njëherësh është edhe profesoreshë në Fakultetin e Mjekësisë që ligjëron pikërisht lëndën e Gjinekologjisë, ka treguar dje për Telegrafin se si ka ndodhur rasti.

“Leutrimi ka hyrë në pjesën praktike të provimit të cilën e ka kaluar, pasi ka dalë nga asistentja e lëndës e cila e ka kryer provimin në pjesën praktike, Leutrimit i kanë thënë se duhet me u ngjit lartë tek profesoresha mu pyet me gojë. Ai deri sa ka qenë duke ju treguar kolegëve se e ka kaluar pjesën praktike është rrëzuar në tokë”, ka deklaruar Paçarada.

Ajo ka thënë se studenti siç duket ka pasur edhe më herët probleme me zemër. Studenti Leutrim Gjini ka vdekur në Klinikën e Kardiologjisë pas 10 orë trajtimi nga mjekët. /Telegrafi/

SHPËRNDAJE