Ndërron jetë gazetari i njohur

Gazetari i njohur kosovar, Rrok Berisha, ka ndërruar jetë sot pas një sëmundje të rëndë. Lajmin për vdekjen e tij e ka dhënë djali i Rrokut, Ylberi.

Përmes një postimi në Facebook, Ylberi ka njoftuar për vdekjen e babait.

Emri i Rrok Berishës, së fundmi u rikthye në publik, kur ushtari i zonës së Dukagjinit, Shefqet Kabashi,  tha në Pressing në T7 se nga ai kërkuan ta vrsite Rrokun.

Për këtë ka reaguar edhe vetë Rrok Berisha. Në versionin e tij rreth urdhrave për ta ekzekutuar atë, gazetari pohon se Kabashi e ka thënë të vërtetën.

Ky ishte reagimi i plotë i Rrok Berishës:

Të nderuar miq,

E ndjej të nevojshme që të jap një prononcim rreth asaj që e tha Shefqet Kabashi, i njohur si Shulci, javë më parë në emisionin Pressing në televizionin T7.

Historia e gjithë kësaj është më e thellë dhe fillon në kohën e unifikimit të të gjitha forcave të armatosura të Republikës së Kosovës, pa dallime të linjës partiake dhe ideologjike. Pas marrëveshjes që e arritëm në Rrafshin e Dukagjinit pason vizita e Hashim Thaqit ku gjithçka e arritur u shkatërrua! Bashkimi vëllazëror u shkatërrua nga hiena që atdheun e panë si mjet e jo si qëllim.

Shefqet Kabashi, është e vërtetë se gjithmonë duke u thirrur në referimin e tij që nga viti 1998 e këndej, i është kërkuar nga një i ashtuquajtur komandant Alush Agushi-Pipi, që ai të më vrasë. Me Shulcin kam pasur kontakt vetëm atë ditë kur ka ardhur tek unë dhe ka kërkuar që të largohem nga shtëpia pasi që jam i rrezikuar ngase një komandant nga ata të shtabit të Jabllanices-Dushkajës, i kishte dhënë urdhër që ai të vijë dhe të më vras mua si njeri i “dëmshëm” ngase isha në linjën politike të Dr. Ibrahim Rugovës. Pastrimet e figurave intelektuale vetëm sa kishin filluar përbrenda Shqiptarëve, nga Shqiptarët, derisa ne kishim vetëm një armik. Në këtë kohë isha edhe pjestar i UÇK-së, gjegjësisht Shef për Informim në brigadën 131 Zona Operative në Baran. Pas ngjarjes me Shefqet Kabashin kisha takim me të edhe në kohën e pas luftës, kur ai vetë është rrëfyer, në prezencën e axhës së tij, për të gjitha ato që i ka deklaruar edhe me vonë, por me një përjashtim. Unë për kërcënimin tim nga Pipi nuk e kam njoftuar askënd — por mos ekzekutimi i vrasjes ka lënë të kuptohet që urdhri nuk është zbatuar. Sa i përket pyetjes që shumë miq të mi në rrjete sociale e kanë bërë se a e njoh unë Pipin, përgjigja ime është Po, e njoh. Atë e njoh gjatë luftës dhe ka qenë njeri i krahut të ashpër kundër institucioneve të Kosovës. Për Pipin, Lahi Brahimaj dhe të tjerë, duhet të jap llogari përgjegjësi i tyre Ramush Haradinaj — të cilën gjë nuk e ka bërë për 20 vite (sepse me disa Haradinaj ka edhe lidhje familjare).

Unë personalisht të gjitha këto atentate dhe kërcënime të tjera që më kanë ndodhur, pas lufte i kam shprehur në shumë shkrime të mija. Madje, edhe rrëfimin e gjithë asaj që e shpreh Shulci e kam botuar në një fejton në gazetën Bota Sot. Unë s’kam dashur që të merrem drejtpërdrejtë me personat në fjalë, duke shpresuar që koha do ti shëroj plagët dhe se paslufta do ti zgjidhë problemet në një mënyrë paqësore. Andaj, bazuar në këtë, nuk i jam drejtuar gjykatës dhe as policisë, sepse siç thashë më herët gjërat veç kanë qenë publike.

Shefqet Kabashin unë e falënderoj nga zemra, jo pse nuk më ka vrarë mua por që nuk është bërë vrasës! Që nuk ka pranuar të zbatoj urdhra të “vrasësve”. E jap këtë prononcim pa ma kërkuar askush por vetëm si vërtetim të korrektësisë së Shulcit në interpretim të asaj çfarë ka thëne. Shefqet Kabashi ishte njëri nga njerëzit e porositur dhe paguar për të më vrarë, por jo i vetmi.

Për mu dhe bashkëluftëtarët e mi, preokupimet ishin më të mëdha se sa vëllavrasja! Armik kishim vetëm shtetin serb – unë i kam llogaritur si armiq pushtetin dhe okupatorin Serb. Banditët dhe individët si Haradinaj, Pipi, Lahi Brahimaj e të tjerë të ngjashëm, unë nuk i kam konsideruar si armiq sepse vëllavrasja ishte e ndaluar me urdhër të prerë nga Presidenti Ibrahim Rugova — dhe është kundër vlerave tona si shqiptarë dhe atdhedashës. Me çdo kusht dhe në çdo kohë iu kemi shmangur konfliktit.

Pas luftës vazhduan atentatet dhe kërcënimet deri edhe tek fëmijët. Në mënyrë të vazhdueshme mu është ofruar edhe mbrojtja e afërt nga UNMIK-u — të cilën mbrojtje e kam refuzuar kategorikisht, sepse nuk kisha bërë ndonjë krim apo tradhti ndaj vendit tim, të cilin vend aq shumë e donim dhe i besonim.

Shpresoj që të gjitha ato atentate, kërcënime dhe përcjellje tjera që i kisha për disa vite gjatë dhe pas luftës, të cilat familjes sime i sollën shqetësime të jashtëzakonshme, së paku edhe të tjerët të marrin guximin ashtu si Shefqet Kabashi të flasin. Sepse, siç e dijnë edhe Haradinaj, Thaqi, Veseli e shumë “komandanta” milionera tjerë të pasluftës, shumë njerëz të pafajshëm janë vrarë gjatë luftës dhe janë shpallur Heronj, pas luftës. Dhe, ata që nuk mund ti vrisnin gjatë luftës i vranë më pas. Unë nuk e pata fatin e tillë sepse ‘ai që nuk frigohet me fjalë nuk frigohet as me pushkë’. Dhe për të gjitha këto, herët apo vonë, llogari duhet dhe do të japin të gjithë.

O kurrë mos u lodhë për ndihmën dhe gjakun që i jep atdheut!

Ky vend nuk është pronë e askujt, por është e të gjithëve që e dhanë jetën për të dhe sakrifikuan djersë, gjak, gjymtyrë dhe gjithçka që patën. Ky vend është i nënave, motrave e vajzave, fëmijëve, e atyre që luftuan heroikisht, që u burgosen dhe u vranë mizorisht, që u helmuan në shkolla, që u masakruan, që… Është vend edhe i atyre që u tradhtuan dhe që pabesisht dhe në mënyrë tinëzare u vranë për interesa individuale-grupore.

Atdheu nuk është asgjë tjetër veçse dashuri për njeriun e dashuri për vendin!

Rrok Berisha

SHPËRNDAJE