Ndeshja Moldavi – Kosovë mund të mos luhet as në Itali, kjo është arsyeja

Përballja e parë e Përfaqësueses së Kosovës në kuadër të edicionit të dytë të Ligës së Kombeve mund të mos zhvillohet në Itali, ndeshje në të cilën “dardanët” do të jenë mysafirë të Moldavisë.

Kjo ndeshje do të luhet më 3 shtator, dhe më herët ishte vendosur që të zhvillohej në stadiumin “Ennio Tardini” të qytetit Parma të Italisë pa shikues.

Ndeshja ishte caktuar të luhej në vend neutral – Itali – për shkak se Moldavia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Në fakt, në fillim të muajit të shkuar, ishte Federata e Futbollit të Moldavisë që njoftoi se ndeshja me Kosovën do të luhet në Itali.

Mirëpo, destinacioni i kësaj ndeshjeje pritet të ndryshojë për shkak të situatës aktuale me pandeminë COVID-19, ku një pjesë e shteteve evropiane tashmë kanë vendosur kufizime të ndryshme, përfshirë këtu edhe mbylljen e kufijve.

E pikërisht Italia i ka kufijtë e mbyllur për shkak të situatës aktuale, dhe në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) kanë pranuar që ndeshja me Moldavinë mund të zhvillohet në një shtet tjetër.

Në të vërtetë, UEFA tashmë ka njoftuar të gjitha federatat anëtare të saj se shtetet si Greqia, Qiproja, Hungaria dhe Moldavia janë në gatishmëri si vende neutrale për të gjitha ndeshjet nën ombrellën e Shtëpisë Evropiane të Futbollit, qofshin ato të përfaqësueseve apo nivel klubesh.

UEFA ka thënë se Greqia, Qiproja, Hungaria dhe Polonia tashmë janë siguruar si vende neutrale, që do të vinin në dispozicion stadiumet në datat e planifikuara të ndeshjeve, dhe autoritetet e tyre gjithashtu do të ofronin një korridor udhëtimi në mënyrë që ndeshjet të zhvillohen pa kufizime.

“Vështirë se ndeshja e parë e Ligës së Kombeve kundër Moldavisë mund të zhvillohet në Itali, për shkak të kufizimeve që janë në këtë shtet si pasojë e pandemisë së koronavirusit. Moldavia tashmë po shikon opsione për një vend tjetër, ndonëse UEFA tashmë ka ofruar disa shtete ku ndeshjet mund të zhvillohen në terrene neutrale.

Duhet të shikojmë se si do të shkojnë punët dhe besoj se të gjitha opsionet janë të hapura. Ne jemi mysafir në këtë ndeshje dhe do të presim njoftimin në lidhje me ndeshjen me Moldavinë”, është shprehur sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, për KOHËN.

SHPËRNDAJE