Ndodh edhe kjo në Kosovë: Ministrat përplasen në debat televiziv të drejtpërdrejtë

Dy ministra të Qeverisë së Kosovës janë përplasur sot me njëri-tjetrin në një studio televizive.​
Pal Lekaj, ministër i Infrasuktrurës dhe Transportit, nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dhe Abelard Tahiri, ministër i Drejtësisë, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovë, kanë kundërshtuar ashpër njëri-tjetrin në një debat të drejtpërdrejtë në KTV.

Çështja e taksës ndaj Serbisë ka bërë që të nxehet debati mes Lekajt e Tahirit, teksa ky i fundit ka këmbngulur se mbajtja e saj në fuqi po i dëmton raportet e vendit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Me vlerësimin e Tahirit nuk është pajtuar Lekaj, i cili njëherësh është edhe nënkryetar i partisë së kryeministrit Ramush Haradinaj.

Lekaj e Tahiri janë përplasur edhe për deklaratën e Xhavit Halitit rreth taksës.

Pak minuta para se të dilte në votim taksa 100 për qind, nënkryetari i PDK-së, Xhavit Haliti u kishte kërkuar krerëve të koalicionit qeveritar që mos ta bënin atë. Këtë e bëri të ditur ministri i AAK-së, Pal Lekaj.

“Xhavit Haliti ka ardhë edhe ka thënë mos e qitni në votim se nuk është koha, keni mu prish me aleat”, ka thënë Lekaj.

Abelard Tahiri fuqishëm e kundërshtoi atë duke e quajtur spekulim.

Ai tha që Haliti është mbështetës i vendimeve të PDK-së dhe kryetarit Veseli dhe nuk ka mundësi që kishte kërkuar një gjë të tillë.

“Nuk është e vërtetë që ka thënë, është spekulim, ai është një mbështetës i madh i kryetarit Veselit”, ka thënë Tahiri. “Sot ky vendim po i prish marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara”, ka shtuar më tej ai.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE