Ndodh edhe kjo: Zëvëndësministri nuk e din se është planifikuar shtatorja e Adem Jasharit

Zëvendësministri shfaq mos njohuritë e tij, nuk e di se Kuvendi e ka paraparë me buxhet ndërtimin e shtatores së Adem Jasharit në Prishtinë

Zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik dhe zyrtari i lartë i PDK-së, Gani Koci përmes një shkrimi në llogarinë e tij Facebook ka kritikuar institucionet e Republikës së Kosovës që edhe pas 20 vjet nga çlirimi i vendit dhe në 11 vjetorin e pavarësisë, Prishtina vazhdon të mos ketë një shtatore të heroit legjendar, Adem Jashari. Koci ndër të tjera ka shkruar se edhe pse me mburrje dhe krenari thirremi në sakrificën e dëshmorëve të dheut, asnjëherë nuk gjetëm një copë tokë për shtatoren e Komandantit Legjendar, e asnjë përvjetor sipas tij nuk ka kuptim pa shtatoren e Adem Jasharit në mes të Prishtinës.

Po kryetari i PDK-së dhe i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në 11 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës nga mjetet buxhetore të Kuvendit të Kosovës ka ndarë mjetet buxhetore për shtatoren e Adem Jasharit. Këtë e ka bërë duke e parë neglizhencen e qeveris lokale të udhëhequr tash nga Shpend Ahmeti dhe dikur nga LDK-ja, shkruan Veriu.info

Kështu Koci ka shpërfaqur mos njohuritë e tij me buxhetin e vitit 2019 të miratuar nga Kuvendi që kryesohet prej shefit të tij, duke iu dhënë edhe një argument shtesë kritikuesve të numrit të madh të zëvendësministrave, për të cilët thuhet se nuk po bëjnë asgjë, përveç se po i shijojnë privilegjet e pushtetit.

Por kohë më parë ishte deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu që kishte deklaruar se është turp për kryeqytetin që edhe 19 vjet pas luftës Prishtina nuk e ka një përmendore të komandantit legjendar Adem Jashari.

“Jemi duke bërë investime në rregullimin e një sheshi, e i cili do të duhej të ishte Sheshi “Adem Jashari” dhe ajo përmendorja e kohës së komunizmit do të duhej të zëvendësohej me përmendoren e heroit kombëtar Adem Jashari. Është turp, ama bash turp për kryeqytetin e Republikës së Kosovës 19 vjet pas lufte mos me e pas një përmendore të Adem Jasharit këtu”, kishte thënë ai./Veriu.info

SHPËRNDAJE