Ndotja e ajrit arrin në nivele alarmante, kritikohen institucionet për neglizhencë

Ende pa filluar stina e dimrit, niveli i ndotjes së ajrit në Kosovë ka kaluar parametrat e mesatares.

Vetëm në mbrëmjen e së shtunës, niveli i ndotjes në Prishtinë, sipas matjeve të Ambasadës Amerikane, arriti në 163.

E, edhe sipas Aplikacionit që mirëmbahet nga Ministria e Mjedisit, pothuajse të gjitha qytetet e Kosovës ishin shumë të ndotura. Nivel më i mirë i cilësisë së ajrit nuk ka qenë as edhe të dielën, ku vlera e ndotjes ka shkuar deri në 122, vlerë kjo që konsiderohet e pashëndetshme, raporton KTV.

Dhe, pikërisht për këtë ka reaguar edhe Instituti i Shëndetit Publik, ku përmes një komunikate për media, ka paralajmëruar se edhe këtë sezon të dimrit, ndotja do t’i kalojë parametrat normal.

Tutje, ky institucion me anë të këtij njoftimi ka propozuar disa masa, dhe mes tjerash përmendet se është i nevojshëm largimi i veturave të vjetra, si dhe të shtohen hapësirat gjelbëruese.

IKSHP-ja, duke alarmuar për këtë gjendje, propozon që qytetarët t’i reduktojnë daljet në qytet dhe hapjen e dritareve, kur niveli i ndotjes është i lartë.

“Ekspertët e Institutit Kombëtar paralajmërojnë dhe alarmojnë që, nëse nuk merren masa urgjente, do të ketë efekte negative në shëndetit dhe rritja e vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet, e sidomos nga sëmundjet kardiovaskulare dhe respiratorë, do të jetë shqetësuese”, thotë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Vetë qytetarët kritikojnë institucionet e Kosovës, që nuk po reagojnë asnjëherë ndaj kësaj çështjeje.

Ndërsa, shoqëria civile, duke kritikuar institucionet për neglizhencë, shpreson që Qeveria e re do te arrijë të ndërmarrë hapa pozitivë për ndryshim të kësaj gjendjeje.

Tutje, Abazi thotë se Ministria e Mjedisit ka hartuar një raport, ku paraqiten edhe ndotësit e ajrit, por që nuk po e bën publik.

Në një përgjigje me shkrim nga Ministria e Mjedisit kanë përmendur vetëm masat që kanë ndërmarrë për përmirësim të ajrit, duke thënë se kanë ndaluar përdorimin e thëngjillit, dhe kanë kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës, të ndalojë së regjistruari veturat që tejkalojnë normat e lejuara të shkarkimeve në ajër.

Tutje, në këtë përgjigje thuhet se do të ketë masa të tjera emergjente, në rast të ndonjë situate alarmuese.

“Përveç vendimeve që kemi marrë për ndalimin e përdorimit të thëngjillit për ngrohje në shkolla dhe në objektet e institucioneve publike, ndalimin e dhënies falas të thëngjillit për punëtorët e KEK-ut, ne kemi bërë kërkesa të vazhdueshme që ministritë e linjës të kryejnë përgjegjësitë që kanë në reduktimin e ndotjes së ajrit. Kemi kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës që të zbatojë udhëzimin administrativ që MMPH-ja ka nxjerrë vite me parë, e i cili ndalon regjistrimin e veturave që tejkalojnë normat e lejuara të shkarkimeve në ajër. Kjo Ministri, në qershor të këtij viti, ka filluar me fazën testuese të zbatimit të këtij udhëzimi, mirëpo kjo fazë duhet të përfundojë dhe ky udhëzim duhet urgjentisht të fillojë së realizuari dhe kjo do të përmirësojë dukshëm gjendjen, pasi që veturat e sidomos ato të vjetra, janë një nga ndotësit më të mëdhenj të ajrit. Nuk përjashtohen edhe masa tjera emergjente që mund t’i marrim në raste kur kemi gjendje alarmante të ndotjes së ajrit, por për këtë do të koordinohemi me Komunën e Prishtinës dhe do t’i përkrahim siç kemi vepruar edhe me parë”, ka thënë Leutrim Sahiti, këshilltar në Ministrinë e MMPH-së.

SHPËRNDAJE