Në Gjermani u hapën 700 mijë vende të reja pune, çdo i dyti punëtor i huaj

Në një nga dy vende pune që krijohen në Gjermani punësohen të huaj. Shumica e tyre vijnë nga Polonia dhe Rumania. Edhe punësimi i refugjatëve ka shënuar rritje – megjithatë shifrat për këtë janë të vogla.

Gjithnjë e më shumë njerëz në Gjermani punojnë. Gazeta Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung bën të ditur duke iu referuar shifrave të Agjencisë Federale të Punës se në korrik të këtij viti, numri i të punësuarve në Gjermani u rrit me 700.000 vetë krahasuar me një vit më parë.

Më shumë se gjysma e tyre, rreth 370.000 vetë janë sipas këtyre shifrave të huaj. Dhe pjesën më të madhe të këtyre e përbëjnë të punësuar nga shtete evropianolindore të Bashkimit Evropian.

Shifrat u referohen vendeve të punës, për të cilat është e detyrueshme të paguhen sigurime shoqërore, duke përfshirë tatimin mbi pagën dhe kontributin për sigurimin e pensioneve. Statistika tregon edhe që ata që vijnë nga Evropa Lindore shumicën e herëve kanë punë në Gjermani. Kuota e papunësisë te ata është shumë më e ulët se tek të huajt e tjerë, gati po kaq e ulët sa te vendasit.

Rreth 330.000 refugjatë në tregun gjerman të punës

Në tërësi, për momentin në Gjermani punojnë rreth 1,5 milionë të punësuar ose me punë të vogla nga Evropa Lindore, midis tyre 422.000 polakë dhe 349.000 rumunë. Nga shtetet evropianojugore Greqi, Itali, Portugali dhe Spanjë në Gjermani kanë qenë së fundi të punësuar 614.000 vetë. Refugjatët, me 327.000 të punësuar në tregun gjerman të punës, janë ende pak, edhe nëse shifrat së fundi janë rritur më shumë se ç’besohej.

Ministri Federal i Punës lëvdon ligjin e imigrimit

Ministri Federal i Punës, Hubertus Heil i tha gazetës:”Pa lirinë e lëvizjes, të cilën e shijojnë punëmarrësit në Evropë, në profesione të caktuara ne do të ishim në vështirësi shumë më të mëdha.”

I nevojshëm është imigrimi shtesë nga shtete të treta. Heil e mbrojti këtu ligjin e imigrimit përballë zërave skeptikë nga partitë unioniste si “përparim gjigand shoqëror dhe ekonomik, të cilin nuk mund ta kthejë pas më askush.”

Ministri Federal i Brendshëm, Horst Seehofer i tha në një intervistë gazetës “Welt am Sonntag” se ligji i imigrimit do të sqarojë me “kritere të pastra” se si duhen trajtuar migrantët, të cilët punojnë prej vitesh me statusin “i duruar” dhe që ndodhen para dëbimit.

Rritje shumë të vogla pagash në Gjermani

Me gjithë mungesën aktuale të fuqisë punëtore, pagat në Gjermani nuk janë rritur, siç bën të ditur Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung. Rritja e tyre ka qenë vetëm 2,5 përqind. Pas heqjes së shumës për të kompensuar inflacionin, punonjësve u mbetet vetëm 0,5 përqind e shtesës. Por kjo nuk ka të bëjë me imigrimin në tregun e punës, i tha gazetës Enzo Weber, nga Insittuti për Tregun e Punës dhe Studimet profesionale në Nyrnberg. Përkundrazi, në degët ekonomike me shumë imigrim pagat janë rritur pak më shpejt se në degët e tjera.

SHPËRNDAJE