Në hotel dhe i zhveshur, publikohet video e arrestimit të Stresit

Polica publikon videon e momentit të arrestimit të Arkimed Lushajt, i njohur ndryshe si Stresi. Ai ka qenë në një hotel dhe ishte i zhveshur në momentin që u arrestua.

Policia e Shtetit ka dhënë detaje lidhur me arrestimin e këngëtarit Stresi, duke sqaruar se ai është ndaluar pas një hetimi disa mujor në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit” dhe akuzohet si “anëtar i një grupi kriminal”.

“Forca e Ligjit në veprim vë në pranga një nga anëtarët e një grupi kriminal që operon në Tiranë në lidhje me aktivitetin e kundraligjshëm me tendencë “Trafikim narkotikësh” dhe “Krimeve kundër personit”. Njësia Hetimore e Task Forcës Speciale Vendore Tiranë në Departamentin e Policisë Kriminale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit bëri kapjen dhe ndalimin e shtetasit: Arkimed Lushaj, 31 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë”, njofton policia.

Uniformat blu gjithashtu sqarojnë se “Gjykata pranë Shkallës së Parë Tiranë me vendimin nr 1972 datë 17.10.2018, ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” në lidhje me veprën penale “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”, parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal”.

Policia shton se Stresi është arrestuar në ambientet e një hoteli të ndodhur në Linzë dhe gjatë kontrollit të ushtruar i janë gjetur dhe sekuestruar një sasi e vogël kokainë, një armë zjarri pistoletë e tipit “Pjetro Beretta” , si dhe 12 fishekë të modelit 7.65 mm.

“Nga veprimet hetimore të kryera në lidhje me ngjarjen e mësipërme filloi procedimi penal në gjendje të lirë në lidhje me veprën penale të “Moskallëzimit të krimit”, parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal ndaj shtetases P. Ç., 20 vjeçe, banuese në Tiranë”, vijon komunikata e policisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për kryerjen e veprimeve të mëtejshme hetimore në lidhje me veprat penale të “Mbajtjes pa leje dhe prodhim të armëve shpërthyese dhe të municioneve” dhe “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike” të parashikuar nga nenet 278/1 dhe 283 i Kodit Penal.