Ne jemi popull, ne jemi një popull

Brohoritja “Ne jemi popull” e thoshte në mënyrën më brutale përmasën e dhunës shtetërore mbi identitetin e qytetarit gjerman. Brohoritja tjetër vetëm pas disa ditëve: “Ne jemi një popull”, thoshte realitetin tjetër, se shteti nuk mund të krijojë identitete të reja kombëtare, edhe pse rrethanat dhe gjendjet shoqërore mund të jenë dedikuese.

Shkruan: Ibrahim Berisha

Në tetor të vitit 1989 Partia Komuniste e Gjermanisë kishte organizuar një varg mitingjesh, në të cilat, zotëronte platforma e kundërvënies së shtetit gjermanolindor kundër shtetit gjermanoperëndimor. Kundërvënia dhe acarimi, për habi, nuk frenohej vetëm brenda kornizave politike dhe shtetërore, por ajo prekte edhe esencat nacionale. Në Lajpcig (Gjermani Lindore), në këtë kohë, parulla kryesore e brohoritur në mitingun e detyrueshëm politik e shtetëror të gjermanolindorëve ishte: ”Ne jemi popull”. Nënkupto: Ne jemi komb (Tjetër) jo sikur gjermanoperëndimorët.

Më 9 nëntor 1989, rreth orës 19, nisi rënia e Murit të Berlinit, që ishte ndërtuar në vitin 1961 për t’i ndarë gjermanët “komunistë” nga gjermanët “kapitalistë”. Mijëra gjermanolindorë shpërthyen Murin e fuqishëm që ishte një simbol i ndarjes jo vetëm brendagjermane, por edhe i dhimbjeve dhe i shumë tragjedive të kombeve evropiane, të bëra që nga instalimi i krimit sovjetik në Evropë.

Vetëm disa ditë pas rrënimit të Murit të Berlinit, në tubimet masive në pjesën e Gjermanisë Lindore, manifestuesit e njëjtë, edhe në Lajpcig, thirrnin: “Ne jemi një popull”.

Realiteti ideologjik-politik, për rreth 50 vjet, kishte krijuar presionin e madh mbi gjermanët e pjesës lindore, që ata të mos guxonin hapur të deklaroheshin lidhur me identitetin e tyre. Brohoritja “Ne jemi popull” e thoshte në mënyrën më brutale përmasën e dhunës shtetërore mbi identitetin e qytetarit gjerman. Brohoritja tjetër vetëm pas disa ditëve: “Ne jemi një popull”, thoshte realitetin tjetër, se shteti nuk mund të krijojë identitete të reja kombëtare, edhe pse rrethanat dhe gjendjet shoqërore mund të jenë dedikuese.

“Ne jemi popull”, kjo ishte një parullë politike që është instaluar në po sigmat e njëjta të ideologjike (të sovjetizmit), edhe për pjesën e kombit shqiptar në Kosovë. Ka pasur edhe shqiptar, por fare pak, madje edhe në gafën kulturore, të cilët i kanë rënë borisë së tillë, mu sikur tendencat sovjetike.

E vërteta, sot në forma më të brishta, mund të ndeshet rezonime, se ne jemi popull-komb, pse ne kemi shtetin, prandaj jemi popull-komb (pak a shumë i veçuar nga pjesa tjetër në Shqipëri dhe në rajonet tjera). Qasja e tillë, jo vetëm që nuk ka ndonjë tregues favorit në realitetin, por si e tillë nuk mund të ketë tregues as në teoritë për krijimin e shteteve dhe kombeve.

Ne jemi një popull, kjo është e vërteta. Siç ishte e vërteta gjermane që pas orës 17 të 9 nëntorit të vitit 1989. Jeta në sisteme dhe shtete të ndryshme, me presione dhe tragjedi të mëdha, ka ndikuar në ndërtimin e koncepteve të ndryshme ndërmjet pjesëve të kombit, veçmas në fushë të kulturës dhe të vetëdijes politike. Por tragjeditë dhe dhuna në Evropën e shek. XX nuk e kanë ndryshuar thelbin identitar të kombeve.

Shqiptarët esencialisht nuk kanë pasur probleme të mëdha të identiteteve dhe të identifikimeve në asnjë nga hapësirat e saj. Madje, probleme sa i përket esencave kombëtare nuk ka pasur, përveç ato që janë ngritur mbi ideologjinë, si praktika totalitare dhe së voni mbi përfitime financiare duke luajtur role individuale apo kolektive pa teatër, siç do të thoshte antropologu, Goffman.

Duket tashmë çiltër, politikat nuk mund të krijojnë as edhe tendencë të ndarjes së kombit shqiptar. Logjika e tillë e imponimeve për realitete të reja kombëtare në Kosovë nuk ka pasur fat as sukses. Në letrat administrative edhe të ndërkombëtarëve ky thes identitar shkruhet “multikulturalizëm”. Tendencë e dështuar e fuzionit mekanik.

Variantet e brendshme kulturore ende do të jetojnë për t’na kujtuar kombin e fuqishëm evropian, si u ça nga forca për të krijuar imponueshëm vija dhe tendenca artificiale identitare. Ky realitet ende jeton në kujtesën e freskët të njerëzve që e kanë provuar presionin e mbijetesës identitare. Ashtu si është memorizuar: Në njërën anë pjesa e kombit “atdhetar”’ të çiltër”, “të guximshëm” etj., ndërsa në anën tjetër pjesa e kombit “tradhtar”, “të fëlliqur”, “frikacak”. Apo e kundërta, në njërën anë pjesa e kombit “punëtor”, “socialist” ,“të ndershëm”,”të urtër” etj., dhe në tjetrën pjesa e kombit “papunëtor”, ”kapitalist ”, “të korruptuar”, “ të pandershëm”, “arrogant” etj. Propagandat politike, ndarjet ideologjike dhe administrative të provuara për t’u imponuar dikur, mund të kenë ambicie të ridizajnimit duke i mbajtur të gjalla komponentët e atyre tendencave të mundura nga identitetet kolektive. Me gjuhën e Konicës thënë, kjo luftë ndërmjet “mondialistëve” dhe “provincialëve” është një formë e përkufizimit në hapësira që projektohen të rikthehen sado që ato u rrënuan duke lënë mbas pasoja të mëdha.

Kur u rrënua Muri i Berlinit, shqiptarët panë më afër mundësinë e rrënimit të murit të tyre, që ishte ngritur me kufirin tragjik, edhe për të ndarë edhe për të ndryshuar identitete gjeografike, shtetërore dhe kombëtare.

Ne jemi popull dhe ata janë popull, në vend se Ne jem një popull, është kujtesa e gjallë për modelin provokues të rigjenerimit të problemeve dhe të kaosit brenda tërësisë, i cila, mu për shkak të preferencave, në esencë, totalitare të individëve politikë, edhe mund të vazhdojë të jetojë në formë dhe përmbajtje, nëse jo aktive, atëherë të fjetur.

Gjermanët që nga 9 nëntori kanë brohoritur: “Ne jemi një popull”. Që nga ajo ditë edhe kanë punuar si një popull. Leksion për të mësuar edhe shqiptarët.

SHPËRNDAJE