Në këtë cilësi u ftua deputetja e AAK-së, nga Gjykata Speciale

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Time Kadrijaj, është ftuar nga Specialja në cilësinë e dëshmitares.

Kështu merr vesh Koha.net. Një burim i ka thënë portalit se ajo nuk është ftuar si e dyshuar, por si dëshmitare në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Në ditën e parë të këtij muaji, ka qenë vetë Kadrijaj që kishte treguar se ka marrë ftesë nga Specialja, pa treguar se në çfarë cilësie është thirru, e duke shprehur shqetësimin e saj për ftesat e kësaj gjykate për ish-ushtarët e UÇK-së.

Kishte treguar se është kontaktuar me telefon nga Gjykata Speciale dhe është njoftuar se ftesën do ta marrë edhe zyrtarisht për t’u intervistuar gjatë muajt shtator.

Kadrijaj ka thënë se nuk është aspak e mërzitur për pasojat ligjore, sepse sipas saj, lufta e ushtrisë ka qenë e pastër si loti dhe kjo do të dëshmohet përsëri.

“Por jam e shqetësuar për ftesat e njëpasnjëshme të kësaj Gjykate, të cilat për bazë kanë vetëm pretendimet politike të Serbisë dhe ta merr mendja që po kanë edhe pasoja politike, për Kosovën, e cila më në fund ka filluar të flasë me zërin e vet”, kishte thënë ajo.

Ajo tutje ishte shprehur e bindur se edhe kjo sfidë do të përballohet me dinjitet.

“Jam e bindur se edhe kjo sfidë do të përballohet me dinjitet dhe lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të mbetet e shenjtë, siç edhe ka qenë”, ka shkruar ajo.

Time Kadrijaj është mjeke me profesion, dhe gjatë luftës së fundit në Kosovë ajo ka shërbyer kryesisht në këtë cilësi.

SHPËRNDAJE