Në Kosovë ndalohen 300 000 litra naftë të cilësisë së dyshimtë

Dogana e Kosovës ka ndaluar importin e rreth 300 mijë litrave të derivateve të naftës, pasi që kualiteti nuk ishte brenda parametrave të përcaktuar.

Ndalimi i rreth 20 cisternave është bërë para katër ditësh.

“Janë mbi 20 autobote të cilat janë duke u mbikëqyrur nga Dogana e Kosovës”, ka thënë për Insajderin zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci.

“Është bërë tejkalimi i parametrave të lejuar për disa dërgesa të naftës. Gjithsesi se më duhet të theksoj se sipas analizave tejkalimi i parametrave është 0.01 % më shumë se vlerat e lejuara”, ka shtuar Stavileci.

Marrë për bazë se dallimi në parametra është shumë i ulët, Stavileci ka thënë se nafta sërish është dërguar për analiza.

“Pasi dallimi është shumë i ulët, prandaj janë dërguar edhe një herë për super-analizë”, ka thënë Stavileci.

Ndër tjera, Stavileci ka treguar se mostrat janë dërguar për super-analizë në një laborator jashtë Kosovës.

Ai ka thënë se sasia e ndaluar e derivateve të naftës është duke u mbajtur në Prizren.

Para dy muaj Dogana e Kosovës kishte konfiskuar mbi 1 milion litra naftë jocilësore./Insajderi

SHPËRNDAJE