Në Kosovë thanë se e ndalën ndeshjen e futbollit serb, në Serbi dalin foto nga ndeshja e zhvilluar në Zveçan

Një mjegull e madhe është krijuar në vendin tonë rreth një ndeshjeje të garave kampionale të futbollit serb ndërmjet klubit të serbëve të Kosovës, FK Trepça dhe FK Takovo nga Serbia.

Dje një portal duke e cituar Policinë e Kosovës njoftoi se ndeshja është ndaluar nga policia e shtetit të Kosovës.

Pastaj, në Prishtinë nisi një “luftë” për marrje merritash rreth asaj se cili instucion e ndali lojën e kampionatit serb në territorin e Kosovës. Fillimisht doli lajmi se Federata e Futbollit e Kosovës me Policinë kanë arritur ta ndalin këtë ndeshje.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë tha se është ajo që e ka ndaluar zhvillimin e asaj ndeshje Brenda territorit të Kosovës duke e respektuar vendimin instucional për marrje masash anti-Covid. Pastaj, nga Ministria e Sportit u publikua një kërkesë e saj dërguar Policisë, nga e cila kishte kërkuar ta ndalojë ndeshjen e futbollit në veri duke i respektuar masat anti-Covid, shkruan Gazeta Express.

Kurse, në Serbi mediat raportinin se ndeshja ka përfunduar baras 1:1.

Klubi nikoqir i serbëve të Kosovës, dy ditë para ndeshjes kishte njoftuar se ndeshja zhvillohet në Rashkë. Edhe pas ndeshjes ky klub shkurtimisht i tha Gazetës Express se lojën e ka luajtur në Rashkë. Mirëpo, klubi mysafir nga Serbia ka thënë se ndeshjen e ka zhvilluar në Zveçan të Kosovës. Madje, edhe portal serb i afërt me klubin FK Takovo, “gminfo.rs”, përmes një reportazhi ka treguar se ndeshja është zhvilluar në Kosovë, në Zhitkovac të Zveçanit. Madje, ky portal ka publikuar edhe ftografi nga ndeshja e zhvilluar në stadiumin e Zveçanit dhe as që e ka përmendur ndërprerjen apo ndalimin e lojës. Ky portal ka potencuar se derei një ditë para lojës në opsion ishte edhe stadium i Rashkës, por në fund ndeshja është luajtur në Zveçan.

“Një përshtypje e mirë nga udhëtimi i djeshëm në Kosovë ishte një ditë e bukur vjeshte, në një rrugë plot me flamuj serbë dhe 100 përqind të popullsisë sonë. Pikë heroike nga Kosova!”, shkruan mes të tjera portal serb që ishte pjesë e ekspeditës së klubit serb FK Takovo, i cili e ka përshkruar krejt ndeshjen duke e ilustruar reportazhin edhe me fotografi nga stadium i Zveçanit.

Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës nuk ka pasur diçka rreth kësaj ndeshje, kurse Express nuk ka arritur ta marrë ndonjë sqarim nga Policia përkundër përpjekjeve.