Në prag të Kurban Bajramit fshati Vërnicë i Mitrovicës bëhet me xhami (FOTO)

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka marrë pjesë sot në përurimin e xhamisë në fshatin Vërnicë të Mitrovicës.

Në ceremoninë e përurimit ishte i pranishëm edhe nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, drejtori për Planifikim dhe Urbanizëm, Besnik Beka, kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Mitrovicë, Irfan Krasniqi, zëvendës myftiu i BIK-ut, Reshat Mexhidi, hoxhallarë dhe qytetarë të shumtë të cilët iu gëzuan ndërtimit të kësaj xhamie.

Me këtë rast, kryetari i komunës, Agim Bahtiri, përshëndeti të pranishmit dhe falënderoi iniciatorët e ndërtimit të kësaj xhamie, për të cilën tha se do të sjellë vetëm paqe dhe harmoni për banorët e këtij fshati.

“Kur ndërtojmë dhe hapim xhami, gjithmonë duhet të mendojmë se ajo është një objekt me të cilën ka filluar historia e njerëzimit, gjithë ata që kanë qenë pjesë e punëve të mira në përgjithësi e sidomos ata që ndihmuan ndërtimin e kësaj xhamie të jenë të bindur se kjo është një dhunti që Allahu ia ka dhënë që të bëj punë të mira”.

Ndërsa kryeimami Irfan Krasniqi, kryetar i Bashkësisë Islame në Mitrovicë, tha se kjo është shtëpi e Zotit, ku të rinjtë do të marrin dije dhe besim që të jetojnë në paqe dhe harmoni me të gjithë të tjerët, si e ka pasur traditë Mitrovica.

“E gëzofshim këtë xhami, e gëzofshin edhe gjithë ata që do vijnë pas nesh, Zoti ju kënaqtë me të mirat e kësaj bote dhe botën tjetër”.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE