Në Vushtrri u zbulua Shtatorja dhe Sheshi Kolonel Ahmet Krasniqi

Drejtues të institucioneve shtetërore të Kosovës, kanë marrë pjesë sot në zbulimin e shtatores dhe Sheshit Kolonel Ahmet Krasniqit në qytetin e Vushtrrisë.

Në fjalën e saj në këtë ceremoni, Vjosa Osmani kryetare e Parlamentit të Kosovës, pikërisht sot me rastin e zbulimit dhe në 22 vjetorin e vrasjes së Ahmet Krasniqit, ka bërë thirrje që të bëhet zbulimi i autorëve dhe urdhërdhënësve të vrasjes së tij.

Ndërsa zbulimin e kësaj shtatoreje në Vushtrri, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti e ka vlerësuar ringjallje shpirtërore të Kolonel Ahmet Krasniqit. “Dita e sotme për të gjithë ne, për të gjithë ata që ja duan të mirën Kosovës shënon rikthimin e Kolenel Ahmet Krasniqit në vendlindje, shënon rilindjen shpirtërore të Kolonel Ahmet Krasniqit”, ka theksuar kryeministri Hoti, raporton Gazeta Online Veriu.info.

Në fjalën e tij në hapje të ceremonisë zyrtare, ku merrte pjesë edhe Garda e Forcës së Sigurisë së Kosovës, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri tha se Krasniqi ishte ideator e simbol i përpjekjeve për forcim të institucioneve të shtetit të Kosovës e për bashkim të të gjitha forcave në luftën çlirimtare.

“Vepra e tij tejkalon ngjyrimet partiake, është më e madhe se që mund të përshkruhet me disa fjali. Koloneli ishte ideator e simbol i përpjekjeve për forcim të institucioneve të shtetit të Kosovës e për bashkim të të gjitha forcave në luftën çlirimtare”, ka thënë Tahiri.

Ndërsa Anton Quni, ministër i mbrojtjes që qeverinë aktuale tha se vrasja e Kolonel Ahmet Krasniqit erdhi në momentin kur Brigadat e para operative dhe batalionet e veçanta goditën fuqishëm forcat serbe. “Plumbat e shkrepur në natën e 21 shtatorit mbi trupin e kolonelit ishin plumba kundër lirisë”, ka thënë Ministri Quni.

Për veprimtarinë atdhetare dhe ushtarake të Ahmet Krasniqit ka folur edhe ministri i shëndetësisë Armend Zemaj. /Veriu.info/

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE