Nëna zgjohet nga koma, pasi dëgjon zërin e të birit (Foto)

Gjithçka kishte filluar si çdo ditë tjetër. Danielle e kishte lënë të birin dhe fëmijët bonjakë në shkollë dhe ishte nisur për një takim. Ajo ishte dita kur fëmijët visheshin me rroba interesante dhe i biri i saj gjashtëvjeçar, Ethan-i, kishte vendosur të vishej si kirurg, me pretendimin që kirurgu ishte hero i tij, pasi kishte pasur probleme shëndetësore një vit më herët.

Nëna beqare, Danielle, 34-vjeçare, kishte buzëqeshur teksa e kishte menduar të birin. Binte shumë shi, andaj ajo kishte vendosur që të ndalej për një kafe.

“Moti ka qenë aq i ligë saqë nuk mund ta shije veturën që kishte para”, ka thënë Danielle nga Andoveri i Hempshajërit duke kujtuar aksidentin që i kishte ndodhur. “Isha rreth 25 minuta më herët, andaj pata menduar që të ndalesha në mundësinë e parë për ta pirë një kafe”. Pastaj kishte ndodhur diçka që ia kishte ndryshuar jetën.

E humb kontrollin mbi veturën

Teksa Danielle po e ndërronte shiritin e rrugës, vetura e saj ishte përplasur në një pus uji në mes të rrugës dhe papritmas e kishte humbur kontrollin e veturës, duke u përplasur matanë rrugës.

“E kam ditur që do ta godisja ujin sepse pata parë reflektimin e veturës sime në të, mirëpo ka qenë shumë vonë”, ka thënë Danielle, me zërin që i dridhej teksa kujtonte aksidentit. “Pata thënë me vete ‘Oh Zot, kjo po që është keq!’ dhe vetura pati filluar të rrotullohej në ajër”.

Vetura ishte rrotulluar shtatë herë përpjetë e më pastaj edhe teposhtë. Danielle i kishte vendosur duart në tavan të veturës, duke u mbajtur fort, sepse kishte një arsye të fuqishme për të jetuar.

“Vetëm Ethan-in e kisha në mendje. Mendoja se kush do të kujdesej për të. Mendoja se çka do të bënte ai pa mua.

E dija që duhej të mbijetoja për birin tim”. Fillimisht Danielle nuk kishte ndjerë dhimbje gjersa disa herë e kishte humbur vetëdijen. E, kur më në fund rrokullisjet e veturës ishin ndalur, një grup njerëzish i ishin afruar në ndihmë.

“Ata kanë rrezikuar jetën e tyre për mua, pasi vetura ka mundur të eksplodonte në çdo moment.

Një grua, për të cilën më vonë e kam kuptuar që ka qenë infermiere, jashtë orarit të punës, më është afruar, pasi që ka thyer xhamin e veturës dhe nuk është larguar për asnjë moment, përkundër faktit që të tjerët e këshillonin të largohej, për shkak të rrezikut të eksplodimit”, ka thënë ajo, transmeton gazeta Kosova Sot.

SHPËRNDAJE