“Nëse ikën NATO’ja nga Kosova, për pak orë futemi në luftë me Serbinë”

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u shpreh se nëse NATO ikën nga Kosova, vendi për çështje orësh futet në konflikt të armatosur me Serbinë.

“Është e rrezikshme në të gjitha rrafshet, qoftë të sigurisë, qoftë diplomatik, qoftë ekonomik apo edhe në rrafshe të tjera. Jetojmë me një konflikt të ngrirë, që potencialisht mund të shpërthejë çdo ditë.

Në Kosovë SHBA e ka bazën më të madhe amerikane në rajon, por në të njëjtën kohë, nëse nuk dëgjon këshillat e tyre, ku i dimë ne hapat e tjera? Kije parasysh dhe imagjinoni që një ditë Kosova të jetë pa NATO-n. Menjëherë, as disa orë nuk kalojnë pa u futur në konflikt të armatosur me Serbinë.

Njerëzit tanë nuk duan tragjedi të reja. Nuk duan luftë. Lehtë është që të mendosh dhe të llogarisësh me muskujt dhe me fuqinë e të tjerëve. Por duhet të mendosh me energjinë tënde.

Eshtë e vërtetë ne kemi luftuar, kemi bërë projektin më madhor të kombit, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, që bashkoi popullin e Kosovës, që bashkoi kombin dhe kur u bashkua kombi rreth përpjekjeve të luftës së popullit të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u bashkua edhe bashkësia ndërkombëtare, bota demokratike për të na ndihmuar sepse na kuptoi në të drejtën tonë, natyrisht dhe me gabimet e mëdha që bëri Beogradi në raport me ne.

Prandaj përsëri e theksoj se kjo statuskuo dhe ky konflikt i ngrirë duhet të tejkalohen me një marrëveshje paqësore, që i hap perspektivë të dy vendeve dhe të gjithë Ballkanit Perëndimor. Vetëm atëherë mund të themi, kur të arrihet marrëveshja paqësore Kosovë-Serbi, që nënkupton njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB. Le ta vulosim paqen e qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi Hashim Thaçi për report tv.

SHPËRNDAJE