Nga AAK jep dorëheqje edhe një kryetar dege

Agim Zuzaku, kryetar i degës së AAK-së në Gjilan ka dhënë dorëheqjen nga kjo pozitë, pas rezultatit të zgjedhjeve të 14 shkurtit të kësaj partie.

Zuzaku ishte një aktivist i kamotshëm i AAK-së, ish-drejtor komune në një mandat.

Ne një përgjigje për Radio Starin, ka deklaruar se pas çdo procesi zgjedhor, nëse ka rezultate të mira duam t’i marrim meritat, por duhet marrë edhe përgjegjësinë për këto rezultate shumë zhgënjyese.

Letra e tij e plotë e dorëheqjes:

E nderuara strukturë e AAK-së,

Pas çdo procesi zgjedhor, nëse ka rezultate të mira duam t’i marrim meritat, por duhet marrë përgjegjësinë edhe për këto rezultate shumë zhgënjyese.

Nuk ka funksionu shtabi, të rinjtë janë keqmenaxhu me ose pa qëllime të caktuara. Jam munduar të ruaja unitetin nëpër nëndegë dhe në degë, shumë gjëra jam munduar të mos i shihja e kuptoja për të vetmin qëllim; ndoshta po bëjmë diçka mirë e po arrijmë sukses, por jo.

Kulmi i gjith procesit ishte kur niveli qendror nuk i ka kryer obligimet për vezhguesit, duke më lënë në pozitë më të palakmueshme të jetës sime.

Duke u bazuar ne të gjitha këto, unë marr përgjegjësinë për këtë situatë dhe e shoh të arsyeshme t’ua hap rrugën të tjerëve, që nënkupton se nga sot nuk do të jem kryetar i degës së Aleancës… dhe gjithashtu jap dorëheqjen nga të gjitha funksionet politike që kisha deri tani në AAK.

Falënderoj secilin që pati gatishmëri të bashkëpunonte me mua për të mirën e Aleancës…

Ju priftë e mbara dhe suksese!

Me respekt,

Agim Zuzaku