Nga humbjet e Trustit janë prekur të gjitha llogaritë e kursimeve pensionale

Zëdhënësi i Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, Jeton Demi, në një intervistë për emisionin “Ekonomi” në Telegrafi.com me gazetarin Lulzim Ahmeti, ka folur për përformancën e mjeteve të kursimeve pensionale të investuar jashtë si dhe për humbjet që kanë pasuar mjetet e Trustit gjatë vitit 2018.

Demi ka tregon se vlera e investimeve të Trustit në Kosovë është rritur.

“Për vitin 2018 kemi rënie të performacës prej 5.2 për qind, ku kthimi është negativ në vlerë prej 84.7 milionë euro dhe kjo e prekë një pjesë të mjeteve. Nga kjo janë prekur të gjitha llogaritë, flitet për vlerën e akumuluar, e jo për të gjithë vlerën e investuar”, tha Demi.

Ai ka thënë se janë mbi 40 milionë euro më pak investime në tregjet e jashtme.

“Janë prekur investimet që janë jashtë Kosovës, të cilat janë 80 për qind. Në aspektin afatgjatë jemi pozitiv, po flasim për një lëvizje negative të tregjeve. Për herë të parë në Kosovë kemi mbi 300 milionë euro të investuara dhe për herë të parë në vitin 2018 kemi 40 milionë euro investime më pak në jashtë vendit”, tha ai.

Zëdhënësi i Trustit, Jeton Demi gjatë intervistës në studion e emisionit “Ekonomi” në Telegrafi.com

Demi ka treguar se norma e interesit që është ofruar nga bankat në Kosovë vazhdon të mbetet e ulët.

“Aktualisht në Kosovë nuk ka mundësi tjera për të investuar. Bordi është duke shikuar të gjitha mundësitë. Në vitin 2018 kemi pasur shumë kërkesa, por do t’i shikojmë mundësitë. Normat që bankat kanë ofruar nuk është e mirë me atë që ata operojnë dhe nuk është normë e lartë, është mjaftë e ulët”, tha zëdhënsi i Trustit Jeton Demi.

Ai ka treguar se lufta tregtare SHBA-Kinë, deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump dhe çështja e BREXIT-it kanë ndikuar drejtpërdrejt në performancën e tregjeve, e veçanërisht në Trust.

“Zhvillimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me normën e interesit, lufta tregtare ndërmjet këtij vendi me Kinën ka pasur pasoja dhe për këtë shumë korporata ndërkombëtare kanë pasur probleme. Deklaratat e presidentit Donald Trump kanë ndikuar në lëvizjen e tregjeve dhe kanë krijuar pasiguri në tregjet si në Evropë dhe në pjesën e botës. Çështja e BREXIT-it ka sjellë një pasiguri shtesë në tregjet botërore dhe gjithashtu ka ndikuar edhe në Trust”, tha ai.

Demi ka folur edhe për pagesat e Bordit dhe Drejtorit Menaxhes të Trustit Agron Zalli. /Telegrafi/

SHPËRNDAJE