Nga MASHT’i tregojnë se si duhet të reagojnë shkollat në rast të përhapjes së koronavirusit

Tetë fëmijë nën moshën 10 vjeç dhe tetë mësimdhënës të shkollës fillore “Mustafë Venhari” në Vushtrri, kanë rezultuar pozitivë me COVID-19, në javën e parë të fillimit të mësimit, bëri të ditur kryetari i kësaj komune, Xhafer Tahiri.

Tahiri tregon se janë në pritje të rezultateve të testeve edhe të nxënëseve të dy klasave në të cilët kanë rezultuar dy të infektuar, kurse negativë në test për koronavirus kanë rezultuar dy klasa të tjera dhe personeli tjetër i shkollës.

“Mësimdhënësit kanë rezultuar pozitivë pasi kanë rezultuar nxënësit. Vetëm një nxënës ka pasur simptoma, më pas kemi filluar testimin dhe kanë rezultuar pozitivë të tjerët. Mësimdhënësi dhe nxënësit janë në shtëpi dhe nuk kanë simptoma të rënda”, tha Tahiri.

Viti i ri shkollor në institucionet para-universitare në Kosovë, ka filluar më 14 shtator, me prezencë fizike të nxënësve në shkolla, por duke respektuar rekomandimet për mbrojtjen nga pandemia e koronavirusit: mbajtjen e maskës, distancës dhe higjienën personale.

Por, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, tashmë ka përgatitur tre skenarë për mbarëvajtjen e procesit mësimor, që do zbatohen nga komunat, varësisht gjendjes epidemiologjike me pandeminë e shkaktuar nga koronavirusi.

Procesi mësimor në shkollën fillore “Mustafë Venhari” tashmë ka kaluar nga skenari A, që do të thotë nga prezenca fizike në shkollë, në skenarin C, mësim në distancë, thotë për Radion Evropa e Lirë, Xhafer Tahiri.

“Pas dy javësh do të ulemi së bashku me Task-Forcën komunale të arsimit, Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike Kosovës (IKSHP) me Ministrinë e Arsimit dhe Ministrinë e Shëndetësisë, për të rivlerësuar situatën dhe për të parë se kur mund të kthehen fëmijët në shkollë”, thekson Tahiri.

Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Xhavit Rexha, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se vendimi për kalimin e mësimit nga shkolla në distancë varet nga numri i përgjithshëm i nxënëseve i të infektuarve.

“Niveli është 200 me 1. Nëse në një shkollë ka 1000 nxënës dhe infektohen më koronavirus më shumë se pesë nxënës, mësimi kalon në mënyrën nga distanca. Kalimi në online është bërë në përputhje me protokollin e reagimit. Protokolli përcakton mënyrat në të cilat mësimi kalon në formën online”, tha Rexha.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës tashmë ka hartuar Protokollin e reagimit ndaj pandemisë COVID-19 në shkolla, ku përcaktohen mënyrat e reagimit dhe menaxhimit të personelit të shkollave dhe Drejtorive komunale të arsimit (DKA) në rast të paraqitjes së rasteve të infektimit individual apo grupor ose personalit të shkollave. Në këtë Protokoll thuhet se “pas skadimit të infeksionit në raste individuale, shkollat dhe autoritetet vendore duhet të vendosin për rikthimin eventual në skenarin (C-B ose B-A) .

Ndryshe, zyrtarë të Sindikatës se Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, konsiderojnë se vizitat e mjekëve duhet të jenë më të shpeshta në objektet e shkollave.

Rrahman Jasharaj, kryetar i kësaj sindikate, thotë se në shkollat që kanë mbi 500 nxënës është nevojë e domosdoshme të ketë vizita të shpeshta mjekësore.

“Nëse nuk ka mundësi që të ketë personel mjekësor të qëndrojnë vazhdimisht në shkolla, së paku mjekët të vizitojnë shumë shpesh institucionet arsimore. Me organizim të drejtorive komunale të arsimimit, t’i bëhen vizita mjekësore nxënëseve në mënyrë që të shihet nga afër situata”, shprehet Jasharaj.

Ndryshe, në fillim të muajit shtator, para se të fillojë procesi mësimor, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ka njoftuar se do të realizohet testimi për koronavirus ndaj 1,500 mësimdhënësve në nivel vendi. Testimi ende nuk ka përfunduar, kurse personeli arsimor zgjidhet rastësisht, pa pasur ndonjë simptomë të dyshimtë.

Kurse në Protokollin e reagimit ndaj pandemisë COVID-19 në shkolla, përmendet “mundësia për kryerjen e shpejtë të testimeve për COVID-19, për punëtorët arsimor sipas nevojave të shkollave- komunave.

Për këtë qëllim, MASHT dhe qeveria duhet të rezervojnë për nevoja të shkollave së paku 5,000 doza të testimeve që të jenë në dispozicion të Drejtorive Komunale të Arsimit.

SHPËRNDAJE