Nga njeri i guximshëm dhe intelektual tek “Ai Muti” – Raporti i Dërgutit me Kurtin

Për shtatë muaj, raporti i deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje Aida Dërguti me kolegun e saj partiak Albin Kurti, ka pësuar ndryshim të madh. Në maj të këtij viti, Dërguti e quante “njeri intelektual, të guximshëm e besnik” Kurtin, teksa shtatë muaj më vonë ajo iu referua me termin “m**” ish-kreut të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në fushatën zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, Aida Dërguti ishte parë aktive në punën e saj si anëtare e Lëvizjes Vetëvendosje. Teksa garonte edhe për një mandat të deputetes së Kuvendit të Kosovës, ajo lavdëronte Albin Kurtin, kandidatin e VV-së për kryeministër.

Dërguti vlerësonte se Kurti është politikan pakrahasimisht më i mirë se kundërkandidatët e tij për kryeministër, Ramush Haradinaj nga koalicioni PAN dhe Avdullah Hoti nga koalicioni parazgjedhor LAA.

“Kemi zgjedhur njeriun më të mirë mes nesh, njeriun më të guximshëm, përgatitja intelektuale e tij [Albin Kurtit v.j] është pakrahasimisht larg me kandidatët e tjerë dhe që ai mund ta përballojë çdo sfidë”, deklaronte Dërguti më 17 maj, pak javë para zgjedhjeve parlamentare.

E ftuar në emisionin “Magazina Zgjedhore” në televizionin Klan Kosova, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje theksonte se Kurti është “njeri i artikuluar, i guximshëm e besnik”.

“Nuk shoh rival ndaj Albin Kurtit, ai do të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës. Është njeri i artikuluar, është i guximshëm, besnik karshi zotimeve që ka pasur. Pa problem ai e përballon këtë garë”, ishte shprehur Dërguti.

Por, shtatë muaj pas këtyre lavdatave që ia bënte Kurtit në publik, Dërguti u bë shkak i një përçarje brenda Lëvizjes Vetëvendosjes. E gjitha lidhet me një ofendim të saj ndaj Kurtit, që u bë publik sot, raporton Insajderi.

Deputetja nga Vushtrria ofendoi Kurtin në një komunikim me anëtarët e tjerë të kësaj partie në platformën komunikuese Viber. Dërguti e quante “m**” Kurtin, teksa pyeste për situatën e tij në Gjykatë.

“Donikën e kan arrestuar prapë”, shkruante Dardan Molliqaj në bisedën në grup, me anëtarët e tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje. Në bisedën e siguruar nga Insajderi, Aida Dërguti reagonte pas Molliqajt. Kërkonte të vihej në dijeni për situatën e Kurtit.

“E atë M**in?”, shkruante Dërguti, teksa i referohej me term ofendues ish-kryetarit të partisë.

Biseda e anëtarëve të VV-së në një grup të platformës Viber, ngjalli edhe reagimin e Visar Ymerit. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje e qortoi deputeten Dërguti, pasi kjo e fundit ofendoi Albin Kurtin.

Sipas një një letërkëmbimi mes anëtarëve të kësaj Lëvizje dhe Visar Ymerit, ky i fundit tregon se për të ka qenë e papranueshme fyerja e Kurtit nga Dërguti, por që nuk tregohet se për çfarë fyerje bëhet fjalë.

“Kjo përkundër dyshimeve absurde të ngritura në letër. Me ta parë përdorimin e asaj fyerjeje e kam marrë Aidën në telefon dhe e kam qortuar për këtë gjë duke kërkuar nga ajo që t’i fyerjet e ofendimet menjëherë”, shkruan në letrën që Visar Ymeri i kishte dërguar Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë, pasi ata kanë kërkuar sqarim për rastin.

Lëvizja Vetëvendosje ende nuk ka dhënë qëndrim zyrtar për komunikimin e brendshëm të Dërgutit, me anëtarët e tjerë.

Mirëpo, deputeti i Vetëvendosjes Ismail Kurteshi ka folur lidhur me përçarjet e fundit dhe ofendimet që kanë ndodhur në Lëvizje, pasi që deputetja Aida Dërguti ka ofenduar themeluesin e VV-së, Albin Kurtin.

Kurteshi, i cili është edhe njëri nga anëtarët e kryesisë, ka kërkuar mbledhje të jashtëzakonshme pasi që ka dëgjuar për ato ofendime, tha se ka kërkuar që të mbahet kjo mbledhje sepse çështje të tilla duhet të diskutohen.

”Unë kam kërkuar të mbahet një mbledhje e kryesisë, jam për me u mbajt një mbledhje e kryesisë me i debatu këto çështje tona të brendshme do t’i debatojmë këto çështje do të marrim qëndrime, po ma shumë nuk kam çka me ju thanë”, deklaroi sot Kurteshi. /Insajderi.com

SHPËRNDAJE