Nga sekser i PAN-it, në Nismë – profili i njeriut që dyshohet se vodhi laptopët e shtetit

Për dy skandale të mëdha njihet Dardan Gashi, ministri në largim i Diasporës, i cili ka kaluar zyrtarisht në Nismën Socialdemokrate, partinë e Fatmir Limajt.

Atë e ndjekin ende hijet e mënyrës skandaloze se si arriti të siguronte dy pozita të larta në qeverinë “PAN” duke përdorur deputeten e LDK-së, Teuta Rugova. Po ashtu, ende nuk është sqaruar skandali i laptopëve të Gashit në Ministrinë e Mjedisit.

Ndërmjetësimi për t’ia siguruar votat koalicionit PAN dhe “rënia në prehrin” e Adem Grabovcit në vitin 2017, Dardan Gashit i ishte shpërblyer me post zëvendëskryeministri dhe ministri në Qeverinë e Ramush Haradinajt.

Ani se nuk ishte kandidat në zgjedhje dhe nuk kishte një subjekt politik, Gashi kishte marrë hise të madhe në Qeverinë Haradinaj. Ai, kishte qenë njeriu kyç që kishte ndërmjetësuar që vota e deputetes së LDK-së, Teuta Rugova të shkonte për koalicionin PAN.

Në shtatorin e vitit 2017, Insajderi kishte raportuar se si katër burra kishin vendosur për votën e Teuta Rugovës, motrës së Ukës i akuzuar për krim të organizuar, kontrabandim me migrant dhe vepra tjera penale.

Historia skandaloze e ministrit Dardan Gashi me dy laptopë të Ministrisë së Mjedisit

Në këtë takim ishte Ukë Rugova, vëllai i saj i akuzuar për krim të organizuar. Ai ishte ulur afër Daut Haradinajt. Përballë kishin Adem Grabovcin dhe Dardan Gashin.

Takimi kishte rezultuar i suksesshëm, pasi me votën e Teuta Rugovës ishte konstituuar Kuvendi i Kosovës dhe ajo kishte votuar po ashtu pro formimit të qeverisë së koalicionit PAN.

Me votën e Rugovës, Gashi kishte fituar dy pozita në qeveri: atë të zëvendëskryeministrit dhe të ministrit të Diasporës.

Ndërkaq, në maj të vitit 2014 Gashi kishte çuditur publikun, kur në kohë fushate ishte zhytur deri në fyt për ta pastruar liqenin e Badovcit.

Ishte kandidat për deputet i AKR-së së Pacollit dhe synonte të dërgonte mesazhin se kishte kontribuar shumë si ministër i Mjedisit gjatë viteve 2011-2014. Nuk ia kishte dalë që t’i bindte votuesit.

Por, sa ishte i kujdesshëm si ministër i Mjedisit e Planifikimit Hapësinor tregon zhytja e tij në abuzimin me pajisjet në pronësi të kësaj Ministrie. Historia e Gashit me dy laptopë, pronë e kësaj Ministrie, ka zgjatur me vjet.

Insajderi ka zbuluar se zv/kryeministri, aktualisht edhe ministër i Diasporës, nuk i kishte kthyer këto pajisje edhe tri vjet pas përfundimit të mandatit si ministër i Mjedisit.

Gashi i ka kthyer pajisjet në kohën kur Prokuroria Themelore e Prishtinës nisi hetime për rastin e moskthimit nga ai të pajisjeve në pronësi të shtetit. Prokuroria, së paku dy vite më parë, kishte deklaruar se rasti i laptopëve të Ministrisë së Mjedisit po hetohej nga Prokuroria.

Tash e dy vite, ky skandal i Gashit nuk është sqaruar ende.

SHPËRNDAJE