Ngjarja tragjike në Marmull, si u vra Tunë Bezhi nga fqiu Alfred Gjugja për 15 ari tokë

As 50 metra nuk kanë distancë shtëpia e viktimës me të dorasit. Fqinjët e moçëm nuk u pajtuan rreth shit-blerjes së një toke në Marmull të Gjakovës, për të cilën mbrëmë u shkrepën plumba.

Në vend të ngjarjes mbeti i vrarë Tunë Bezhi 40 vjeç e i plagosur Anton Nikolla 56 vjeç. I dyshuari kryesor i vrasjes dhe tentim vrasjes se mbrëmshme Alfred Gjugja, 30 vjeç tashmë ndodhet prapa grilave.

Arma me të cilën dyshohet se u krye krimi është pa leje, tha prokuroria.

Merita Miftari
Që nga paslufta fshati Marmull i Gjakovës njihet si vend problematik ku familjet mes vete kanë probleme, kryesisht janë në gjakmarrje. Janë më shumë se dhjetë persona të vrarë për probleme banale. E për një të tillë, u vra mbrëmë edhe Tunë Bezhi. Babai i tre fëmijëve që jetonte e vepronte në Zvicër, ditë më parë u kthye në Kosovë për ta zgjidhur problemin e një toke, që sipas familjarëve të tij, kohë më parë e kishte blerë nga axha i dorasit.

FOTO, policia para shtëpisë së dorasit.

Për të mbërritur te shtëpia e familjes së Tunë Bezhit duhet të kalosh para shtëpisë së dorasit Alfred Gjugja. Dy shtëpitë i ndanë toka për të cilën mbrëmë ndodhi vrasja. Bëhet fjalë për rreth 15 ari tokë që sipas familjes së viktimës, djali i tyre e kishte blerë më parë nga familja e dorasit.

Toka për të cilën nisi konflikti, rreth 15 ari tokë

Gazeta Express gjatë ditës së sotme ka qëndruar në fshatin Marmull ku ka ndodhur vrasja si dhe në Gjakovë. Ekipi i Expressit ka kontaktuar me të gjitha palët e përfshira në konflikt po ashtu edhe me policinë dhe prokurorinë.

Pranë shtëpisë në Marmull ku po bëhet e pamja.


Gjendja shëndetësore e të plagosurit Anton Nikollës që njëherit është kumbara i viktimës është stabile, ai është jashtë rrezikut për jetën. Ai është i plagosur në këmbë dhe ka lëndime edhe në kokë pasi është goditur edhe nga një mjet i fortë. Është i shtrirë në Siptalin e Gjakovës konkretisht në repartin e ortopedisë.

Nikolla tha se ka dhimbje nga plagët dhe se nuk është në gjendje të flas për media. Shtoi se konflikti nisi për shkak të një prone dhe se të gjitha i ka thënë në polici.

“Ma mirë jom. Nuk dua me folë për media. Pak ma mirë jom, kam dhimbje. Të gjitha i kam thënë në polici. Mosmarrëveshja ka fillu për një pronë, nuk ka pas shumë fjalosje”, tha Nikolla për Gazetën Express.

Ishte pikërisht problemi me tokë që e shtyu Tunën të vinte nga Zvicra në Kosovë. Për të familja ka hapur të pamen në Marmull e varrimi pritet të bëhet nesër. Familjarët që sot e pranuan kufomën e Tunës nga Mjekësia Ligjore nuk ishin në gjendje të prononcoheshin për asnjë media. Mirëpo një nip i familjes Bezhi foli shkurt rreth vrasjes.

“Ka ardhë mu marrë vesh për tokë , të shtunën ka ardhë. Dje e kan vra. Axha i dorasit ja ka shit dajës, thonë që ja ka jep paret, po s’jonë pajtu mas andej edhe e ka vra”, thotë një nip i të ndjerit, që vazhdimisht e potenconte se nuk e di saktë ngjarjen por kështu e ka dëgjuar nga familjarët e tjerë.

Shtoi se viktima i ka tre fëmijë, të cilët bashkë me gruan kanë ardhë sot në Kosovë për të ja dhënë lamtumirën e fundit atij.

Rreziku për t’u thelluar edhe më shumë konflikti mes dy familjeve tani është i madh, prandaj një patrullë e njësisë speciale të Policisë së Kosovës po ruan shtëpinë e familjes së dorasit.

Gazeta Express ka arritur të kontaktoj me personin i cili e solli dorasin në Marmull për tu dorëzuar në polici. Tunë Gojani, shok i Alfred Gjugjës tha se pasi ai ka kryer vrasjen e ka telefonuar dhe i ka thënë se është larguar nga vendi i ngjarjes. I ka kërkuar që ta kthejë në Marmull te familja për t’i përshëndetur para se të dorëzohej në polici.

“Më ka telefonu, më ka thanë se i ka ndodh një rast. Tha a po vjen mem marrë me kerr në fshatin Rezinë. Ekom pru te shpija në Marmull tha po du me u përshendet me familjarët e mi, edhe u dorëzu. E kanë marrë policia e kanë dërgu në stacion të policisë”, tha Gojani për Gazetën Express.

Cilat ishin fjalët e dorasit pasi ka kryer vrasjen?

Sipas personit që e kishte sjellë në fshatin Marmull dorasin pasi ai kishte kryer vrasjen Alfredi kishte thënë se i vjen keq për rastin që ka ndodhur dhe se gjithçka ka qenë e momentit.

Shtoi se arsyeja e vrasjes ka qenë prona tokësore.

“Është largu nga vendi ku e ka kry vrasjen nuk e di arsyen pse. Në gjendje të mirë u kan, i qetë, tha më ka ardhë keq për rastin që ka ndodhë, tha u kan e momentit. Po tha sjom konë në vendije u kan moment i shkurtë. Alfredi marrë me bujqësi, ka prind vëlla motër, e kam shok, kumbarë të shtëpisë”, përfundoi ai.

Gazeta Express ka biseduar edhe me kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Ali Semilaj. Ai tha se viktima ka ardhë prej Zvicrës mu marrë vesh për një pronë tokësore.

Lexo edhe:  E pabesueshme me çka i krahason Vuçiqi “Shqiponjat” e qeverive shqiptare

Ndërsa, për dorasin tha se po mbrohet në heshtje dhe i njejti po hetohet për “vrasje të rëndë” “lëndim trupor me mjet të fortë” dhe “armëmbajtje pa leje”

“Fatkeqëisht nga fshati Marmull nuk është hera e parë që po japin informacione jo të mira. Mbrëmë rreth orës 18:30 ka ndodhur një vrasje. Një person është privu nga jeta, tjetri është plagos, sa kem informacione motivi është i karakterit pronësor. Për një kohë të shkurtër i dyshuari ka qenë në arrati, pastaj i kemi hy në shtëpi kemi bërë bastisje e kemi arrestu i kemi konfisku armën që dyshohet se me të e ka kry krimin. Veper penale “Vrasje e rëndë” “Lëndime trupore me mjet të fortë” dhe “armëmbajtje pa leje””, tha Selimaj.

Selimaj shtoi se pasi policia ka bastisur shtëpinë e dorasit i njejti nuk ka rezistuar dhe është dorëzuar.

“Njëherë e ka telefonu policinë pastaj e ka ndërpre çdo kontakt me policinë, pasi i kemi shku në shtëpi nuk ka rezistu edhe e kemi arrestu”, tha kryeprokurori.

“Shtëpinë e dorasit jemi duke e ruajt me polici. Duke e marrë parasysh gjakmarrjen, kjo është arsyeja që e kemi siguru shtëpinë e tij”, përfundoi Selimaj.

Ndërsa, nesër pritet që dorasi të dalë para gjykatës ku edhe do t’i caktohet masa e paraburgimit.

Express ka biseduar edhe me avokatin e dorasit Ndrecë Dodaj i cili tha se kilenti i tij po mbrohet në heshtje.

Alfred Gjugja, i dyshyari i vrasjes së mbrëmshme.


Për dy muaj e gjysmë ndodhën katër vrasje në Kosovë:

Vrasja e Tunë Bezhit është vrasja e katërt në Kosovë për këtë vit. 40 vjeçari se u vra nga Alfred Gjugja për një problem pronësor. Abid Jasharai u vra në fund të muajit shkurt në Prishtinë nga një familjar i gruas së tij për shkak të një mosmarrëveshjeje. Po ashtu gjatë muajit shkurt u vra edhe Mentor Aliu nga Ferizaj, dyshohet se vrasjen e kreu 17-vjeçari SH.R për shkak të një gjakmarrjeje. Ndërsa, vrasja e parë në vitin 2019 ka ndodhur më 1 janar, në një familje nga komuna e Gjilanit. Dyshohet se burri ka vrarë aksidentalisht gruan e tij, përderisa ishte duke festuar me armë Vitin e Ri.

Sidoqoftë, në tri vitet e fundit, viti 2018 cilësohet si viti me më së shumti vrasje në Kosovë. Policia tha se në vitin 2018 u vranë 35 persona, në vitin 2017 ndodhën 27 vrasje, ndërsa në vitin 2016 ndodhën 26 vrasje./M. Miftari/ Gazeta Express

SHPËRNDAJE